Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i ka bërë thirrje Partisë Demokratike të përfshihet në diskutimet për reformën administrative-territoriale dhe të paraqesë propozimet e saj në Komisionin e Ligjeve.
Gjatë një komunikimi me gazetarët pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS, Balla tha se procesi parlamentar duhet të vijojë sipas kalendarit të përcaktuar nga Kuvendi, ndërsa palët kanë ende mundësi të kontribuojnë gjatë shqyrtimit të projektligjit.
Duke folur për ecurinë e reformës administrative-territoriale, Balla bëri të ditur se projektligji po vijon shqyrtimin në Komisionin e Ligjeve, ndërsa synimi është që procesi të përmbyllet në kohë për votimin e parashikuar në seancën plenare të datës 8.
Në këtë kuadër, ai i bëri thirrje Partisë Demokratike që të marrë pjesë në diskutimet parlamentare dhe, nëse ka propozime konkrete për hartën e re territoriale, t’i depozitojë ato në Komisionin e Ligjeve.
“Thirrja ime për grupin e PD është që të marrë pjesë në diskutime në Komisionin e Ligjeve. Nëse kanë propozime, t’i depozitojnë në Komisionin e Ligjeve, janë ende në kohë”, deklaroi Balla.
Sipas tij, opozita ka mundësi që gjatë shqyrtimit nen për nen të paraqesë propozimet e saj, ndërsa një projektligj i ri do të kërkonte respektimin e procedurave të konsultimit të parashikuara për çështjet e vetëqeverisjes vendore.
Balla theksoi gjithashtu se procesi duhet të zhvillohet duke respektuar procedurat parlamentare dhe kushtetuese, në mënyrë që reforma të mos krijojë hapësira për kontestime të mëvonshme procedurale.
Duke iu përgjigjur pretendimeve për miratimin e njëanshëm të reformës, Balla kujtoi se Partia Demokratike nuk mori pjesë as në votimin e reformës administrative-territoriale të vitit 2014.
“Nëse duan të mungojnë përsëri, le të mungojnë. Por karvani duhet të shkojë përpara”, u shpreh Balla.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së argumentoi se reforma synon krijimin e bashkive më të forta, me kapacitete më të mëdha financiare dhe administrative, të afta për të ofruar më shumë shërbime dhe investime për qytetarët.
Ai e lidhi reformën edhe me procesin e integrimit europian, duke theksuar se Shqipërisë i nevojiten njësi vendore më të forta dhe më konkurruese për projektet që lidhen me anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Në lidhje me shqetësimet për bashkimin e disa bashkive, Balla tha se vendimmarrje të tilla nuk janë të lehta dhe mund të prekin interesa lokale, por, sipas tij, synimi duhet të jetë përmirësimi i shërbimeve për komunitetet.
Sa i përket bashkimit Rrogozhinë-Kavajë, ai hodhi poshtë pretendimet për një motiv elektoral, duke argumentuar se të dyja bashkitë janë pjesë e Qarkut Tiranë dhe se bashkimi nuk ndryshon kontekstin elektoral në zgjedhjet qendrore.
Balla u ndal edhe te diskutimet brenda Grupit Parlamentar socialist, duke konfirmuar se deputetët kanë shprehur mendimet dhe shqetësimet e tyre gjatë mbledhjes së grupit. Ai theksoi se diskutimet e brendshme janë pjesë normale e procesit, ndërsa qëndrimi politik i grupit është në mbështetje të reformës.
Komunikimi i plotë:
E para, duhet të them që kemi pasur një diskutim të mirë dhe të frytshëm në mbledhjen e Grupit Parlamentar në fillim të kësaj jave pune parlamentare, ku nga kolegu Mazniku, i cili ka drejtuar Komisionin e Posaçëm, janë qartësuar apo janë dhënë përgjigje mbi disa shqetësime, sqarime të ngritura nga kolegët e Grupit Parlamentar. Vendimi politik i Grupit Parlamentar është që, sapo të përmbyllet në komisionin përgjegjës, atë të Ligjeve, ky projektligj të kalojë për votim në seancë plenare. Vota pro e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste hyn në ato vendimmarrje politike, për të cilat kërkohet që të gjithë deputetët të jenë prezentë dhe të votojnë. Secili ka, le të themi, shqetësimet e veta. Ju përmendët me të drejtë kolegun Sinaj, por një është të kesh diskutimet e tua dhe një është të kesh detyrimin për të votuar vendimmarrjen e përbashkët të Grupit Parlamentar. Por puna duhet të vazhdojë me intensitet në Komisionin e Ligjeve sot dhe nesër maksimalisht, për t’iu përmbajtur parashikimit që Kuvendi vetë ka vendosur në kalendarin e vet, votimi në datën 8.
Gazetar:
Si arritët ta bindni se është i mirë bashkimi i Selenicës me Vlorën?
Taulant Balla:
Jo. E para është që unë nuk thashë që e binda, s’e binda. Unë thashë që vendimi politik i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste është që të gjithë deputetët do të votojnë pro.
Gazetar:
A ka penalitet për ata që dalin nga rreshti dhe mund të votojnë kundër, zoti Balla? Kundër vendimit tuaj politik?
Taulant Balla:
Lexoni rregulloren e grupit.
Gazetar:
Keni 84 vota kësaj radhe?
Taulant Balla:
Partia Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, për reformat e rëndësishme që ka nevojë vendi në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, dhe e theksoj, kjo nuk është një reformë e lehtë, është një reformë e vështirë. Rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian kërkon edhe vendimmarrje të vështira, të cilat mund të prekin interesat e natyrës lokale, por të mos harrojmë, jemi në një fazë të tillë të procesit ku na duhen bashki të forta, së pari për të garantuar shërbime më të mira për komunitetet, por na duhen edhe bashki të forta për të qenë konkurruese me projektet në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Një reformë më e thellë, për shembull, po merret një vend që është pak më pas nesh në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, Moldavia. Ditën e premte, në mos gaboj, qeveria atje ka publikuar reformën e re administrative-territoriale që e çon vendin nga 12 qarqe a 13 qarqe, mos gaboj, në 3. Kështu që, në këtë këndvështrim, nuk është vetëm Shqipëria vendi i vetëm që duhet të ndërmarrë këto hapa, por është një nevojë e domosdoshme. Kushtetuta parashikon mënyrat se si votohen. Jam shumë i sigurt që atje do jetë në mënyrë të njëanshme për shkak të ndasisë së madhe që ka në vendin në fjalë, kur kush mund ta bëjë një diskutim për jetën politike të Moldavisë, por e rëndësishme është që, sepse në mes që më provokove për rastin në fjalë, aty ka dy blloqe: një bllok pro-europian dhe ka një bllok pro-rus.
Gazetar:
Por nuk është e njëjta situatë në Shqipëri.
Taulant Balla:
Po, meqë hyre këtij diskutimi, mbaje dhe përgjigjen.
Gazetar:
Ndërkohë që bëhej mbledhja e Grupit Parlamentar, banorë të Memaliajt, Fushë-Arrëzit, Poliçanit po protestonin.
Taulant Balla:
Jo, nuk janë banorë, janë disa punonjës të bashkisë. Duhet kuptuar koncepti i reformës. Unë mendoj që të gjithë banorët e vërtetë të Memaliajt që nuk kanë interesa me një vend pune në bashki duhet të kuptojnë që një bashki e madhe Tepelenë-Memaliaj është një bashki e cila do t’u ofrojë të gjitha zonave të Memaliajt shërbime më të mira dhe më shumë investime.
Gazetar:
Fshatrat e largët të bashkive qendrore vijojnë të qëndrojnë ende pa përkrahjen e duhur. Si do të ndikojnë këto edhe në fshatrat që i bashkohen nga bashki më të vogla?
Taulant Balla:
E vërteta është që, kur kaluam nga 384 në 61 që jemi sot, në zonat rurale ka pasur më shumë investime sesa kishte në periudhën përpara. Dhe duhet t’i garantoj të gjithë banorët e zonave që preken, në rastin në fjalë Kukësi nuk preket, qëndron siç është, do të kemi më shumë investime dhe më shumë shërbime më të mira, sepse e vërteta është që bashkitë më të forta, bashkitë më të mëdha krijojnë më shumë të ardhura dhe ajo që është vënë re në të gjitha këto diskutime, kryetarët e bashkive, kryesisht kryetarët e bashkive opozitare që kanë qenë ato 5 bashki sa ka opozita në vend, asnjëherë nuk folën se si të përmirësojnë të ardhurat, se si të rrisin të ardhurat. I gjithë qëllimi këtu është që të kemi bashki me të ardhura më të mëdha dhe, natyrshëm, mbështetje më të madhe edhe nga qeveria qendrore.
Gazetar:
Do të keni takime apo negociata me dy prej deputetëve tuaj të Grupit Parlamentar, me zotin Vullnet Sinaj dhe Erion Braçe, të cilët janë shprehur kundër?
Taulant Balla:
Jo sot, por gjithmonë në mbledhjen e Grupit Parlamentar ka raste që deputetët shprehin mendimet e tyre dhe votojnë edhe kundër, por në fund është ai vendimi tjetër që pason, që është vendimi politik. Dhe besoj që të gjithë deputetët e dinë shumë mirë se sa e rëndësishme është që të ecim përpara në këtë moment të rëndësishëm, kur Shqipëria nuk ka qenë kurrë më pranë anëtarësimit në Bashkimin Europian. Javën e ardhshme kemi një moment tjetër, le të themi, kulminant të suksesit që lidhet me konferencën e radhës ndërqeveritare, ku kalojmë, mbyllim një kapitull tjetër dhe besoj që ky është ai momenti i ndërgjegjësimit të natyrës politike, për të kuptuar që duhet të ecim përpara në drejtimin që kemi.
Gazetar:
Keni dy herë që po përmendni vendim politik. A po i kërcënoni ju me përjashtim nëse nuk votojnë?
Taulant Balla:
Jo, asnjëherë. E para, janë dy deputetë ndër më të mirët që ka Grupi Parlamentar.
Gazetar:
Zoti Balla, bashkimi i Rrogozhinës me Kavajën, a është bërë për interesin elektoral të PS?
Taulant Balla:
Nuk është një diskutim, sepse të dyja janë bashki të Qarkut Tiranë, kështu që nuk ndryshon, të themi, konteksti elektoral politik në zgjedhjet qendrore.
Gazetar:
A ka një përgjigje zyrtare për letrën e kryebashkiakut të Tiranës, zotit Veliaj, i cili thotë të pezullohet dhe të ndiqet një rrugë tjetër, pasi, sipas tij, nuk është kundër ndarjes territoriale apo hartës së re, por duhet të adresohen së pari financimet dhe shërbimet dhe pastaj të kalojmë tek harta?
Taulant Balla:
Nuk e kam lexuar këtë letër. Kur ta lexoj, do të kthej përgjigje.
Gazetar:
PD ka thënë që, në momentin që do të miratohet reforma territoriale në mënyrë të njëanshme, po cenohet dhe reforma elektorale. A jeni gati ju që, nëse Partia Demokratike ngre këtë alarm, ta miratoni edhe reformën territoriale të vetën?
Taulant Balla:
Thirrja ime për grupin e PD është që të marrë pjesë në diskutime në Komisionin e Ligjeve. Nëse kanë propozime, t’i depozitojnë në Komisionin e Ligjeve, janë ende në kohë. Sot është diskutimi në parim në Komisionin e Ligjeve. Do të vazhdojë diskutimi sot dhe do të votohet në parim, dhe menjëherë pastaj është nen për nen dhe në tërësi, dhe pastaj nen për nen çdo deputet ka përsëri të drejtën të bëjë….
Tani, unë nuk jam këtu për të mësuar Partinë Demokratike se si të bëhet pjesë e procesit. Nëse Partia Demokratike do të bëhet pjesë e procesit, nen për nen mund të vijë me propozime, nëse do. Në momentin që ti vjen me një projektligj të ri, je i detyruar që, për parashikimet që bën ligji për vetëqeverisjen vendore, çdo propozim ligji, thotë, duhet të kalojë përmes procesit të konsultimit 60-ditor në këshillat bashkiakë dhe tek kryetarët e bashkive dhe ne nuk bëjmë asnjë gabim të natyrës kushtetuese për mënyrën e trajtimit, sepse unë e di fare mirë që shpresa, ose le të themi, mënyra për të penguar ecjen përpara të kësaj reforme është për të futur Kuvendin apo Komisionin, në rastin në fjalë, në gabime të natyrës procedurale, me qëllim për t’i përdorur ato si argument në Gjykatën Kushtetuese. Projektligji i tyre të shkojë të bëjë konsultimin, ndërkohë që, nëse duan, nen për nen, le të sjellin propozimet. Unë nuk hyj në diskutime se çfarë propozojnë ata, por dua të ndërlidh këtu, sepse ju thatë që kjo çështje kalon në mënyrë të njëanshme. Sot kemi 61 bashki, me një votim pa pjesëmarrjen e Partisë Demokratike në votimin e 31 korrikut të vitit 2014. Pra, Partia Demokratike nuk ka marrë pjesë as në votimin para 12 vitesh. Kështu që unë tani, m’u bënë vite këtu, nuk parashikoj gjë tjetër. Partia Demokratike përsëri do të mungojë, Partia Demokratike ka munguar edhe në zgjedhjet e 30 qershorit 2019.
Gazetar:
Nëse ju vendosni kushte që do të jenë kaq bashki dhe nuk dëgjoni se sa do pjesa tjetër?
Taulant Balla:
Është pak e vështirë të biesh dakord kur një palë vjen me 46, ti me 100, ndërkohë që s’ke votuar as këtë në mes që është 61. Kështu që kjo është një çështje, kur të keni mundësinë, të shkoni t’i pyesni ata. Unë përsëri po them që kanë munguar në korrik të 2014, kanë munguar edhe më 30 qershor 2019 në zgjedhje. Nëse duan të mungojnë përsëri, le të mungojnë. Por karvani duhet të shkojë përpara, sepse kemi sot bashki aktualisht që nuk ofrojnë si duhet shërbime dhe ne na kanë votuar qytetarët për të përmirësuar shërbimet. E di fare mirë që për kolegë, me të vërtetë, edhe për mua personalisht, edhe për mua personalisht, për shembull bashkimi mes Librazhdit dhe Prrenjasit ka një lloj ngarkese, por e di fare mirë që ky bashkim do të sjellë shërbime më të mira për të gjithë banorët e dy bashkive.


