Kuvendi mblidhet sot, në fokus çështjet e ngritura nga zgjedhësit

05 Oct 2026 • 09:00
Shpërndaje:

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet këtë të hënë, 5 tetor, në seancë plenare, ku në fokus do të jenë çështjet, ankesat dhe kërkesat e ngritura nga qytetarët gjatë takimeve të deputetëve me zgjedhësit.

Seanca është parashikuar të nisë në orën 15:00. Sipas rendit të ditës, fillimisht do të miratohet procesverbali i mbledhjes plenare të 24 shtatorit, për t’u vijuar më pas me njoftimet dhe diskutimet mbi problematikat e përcjella nga zgjedhësit.

Diskutimet lidhen me nismën “Prania Besnike”, në kuadër të së cilës deputetët zhvillojnë çdo të premte, në orën 17:00, takime me qytetarët në zonat e tyre. Problematikat e evidentuara gjatë këtyre takimeve përcillen më pas edhe në Kuvend për debat dhe ndjekje institucionale.

Reklamë Ola

Seanca e sotme vjen pas tensioneve të forta që shoqëruan mbledhjen plenare të 24 shtatorit, kur opozita kërkoi ndryshimin e rendit të ditës për të zhvilluar debat mbi zhvillimet në Shërbimin Informativ të Shtetit dhe çështjen e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.

Mazhoranca e rrëzoi kërkesën për ndryshimin e rendit të ditës, ndërsa deputetët e opozitës bllokuan foltoren dhe rrethuan podiumin, duke sjellë ndërprerje të përsëritura të punimeve.

Reklamë InterMedika

Në të njëjtën ditë, GJKKO konfirmoi masën e arrestit shtëpiak ndaj Hysenit, çështje që u bë një nga temat kryesore të përplasjes politike në sallën e Kuvendit.

Mbetet për t’u parë nëse seanca e kësaj të hëne do të zhvillohet pa tensione apo nëse opozita do të rikthejë në debat çështjen e SHISH.