Bashkimi Evropian ka reaguar pas protestave të zhvilluara në Kosovë kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar të drejtën e qytetarëve për tubime paqësore.
Një zëdhënës i BE-së u tha mediave në Prishtinë se Brukseli po e ndjek nga afër situatën dhe se “e drejta për tubime paqësore është një e drejtë themelore e një shoqërie demokratike”.
I pyetur për protestat e zhvilluara edhe pranë zyrave të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, zëdhënësi konfirmoi se aktiviteti i misionit vijon normalisht.
“Mund të konfirmojmë se EULEX-i është plotësisht funksional”, thuhet në përgjigjen e BE-së.
EULEX vepron në Kosovë që prej vitit 2008 dhe mandati i tij aktual zgjat deri më 14 qershor 2027. Misioni mbështet institucionet e sundimit të ligjit përmes monitorimit, mentorimit dhe këshillimit, ndërsa ruan edhe disa funksione të kufizuara ekzekutive.
Reagimi i BE-së vjen pas protestës së organizuar në Prishtinë kundër aktgjykimit të 16 shtatorit të Dhomave të Specializuara.
Ish-presidenti Hashim Thaçi u dënua në shkallë të parë me 25 vjet burg, Jakup Krasniqi me 25 vjet, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet. Të katërt u shpallën fajtorë për disa akuza për krime lufte, ndërsa kanë mohuar akuzat dhe vendimi mund të ankimohet.
Protesta e thirrur nga platforma “Liria ka Emër” mblodhi mijëra qytetarë në Prishtinë, shumë prej të cilëve mbanin flamuj dhe pankarta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Tubimi përfundoi pa incidente të raportuara.


