Mbreti i Spanjës, Felipe VI, u ka kërkuar vendeve të Bashkimit Evropian më shumë solidaritet dhe bashkëpunim në përballimin e presionit migrator, pas hyrjes masive të rreth 72 mijë emigrantëve në Ceuta gjatë verës.
Duke folur në darkën gala të organizuar në Pallatin Mbretëror me rastin e vizitës shtetërore të presidentit francez Emmanuel Macron, monarku spanjoll e cilësoi situatën e krijuar në enklavën spanjolle në Afrikën e Veriut si “të papranueshme”.
Felipe VI theksoi se hyrja masive e emigrantëve krijoi një sfidë të madhe për sigurinë, rendin publik dhe menaxhimin humanitar, duke kërkuar forcimin e bashkëpunimit dhe burimeve të përbashkëta mes vendeve të BE-së.
Sipas tij, shtetet që ndodhen në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian dhe përballen me presion më të madh migrator nuk duhet të mbajnë të vetme barrën e një çështjeje që prek të gjithë Unionin.
Kriza shpërtheu më 30 korrik, kur rreth 72 mijë persona kaluan nga Maroku drejt Ceutës. Autoritetet spanjolle deklaruan më pas se shumica u kthyen brenda 24 deri në 48 orësh.
Ngjarja shkaktoi reagime edhe në vende të tjera të BE-së. Italia rivendosi përkohësisht kontrollet në kufijtë ajrorë dhe detarë me Spanjën, duke argumentuar se ekzistonte rreziku i lëvizjeve dytësore të emigrantëve drejt vendeve të tjera të zonës Schengen.
Kriza e Ceutës ka nxitur ndërkohë edhe Brukselin të rishikojë mënyrën e mbrojtjes së kufijve të jashtëm të Unionit. Komisioneri Evropian për Migracionin, Magnus Brunner, prezantoi të martën një plan për forcimin e kontrolleve kufitare.
Propozimi parashikon ndër të tjera zgjerimin e rolit të Frontex, forcimin e kapaciteteve të monitorimit dhe krijimin e strukturave që mund të dislokohen me shpejtësi në rast të një presioni të papritur në kufijtë e jashtëm. Komisioni Evropian ka bërë të ditur gjithashtu se Spanjës i janë vënë në dispozicion 115 milionë euro ndihmë emergjente për mbrojtjen e kufirit, kthimet dhe nevojat humanitare pas ngjarjeve në Ceuta.


