Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka pritur në takim Drejtoren për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerimin e Komisionit Europian, Valentina Superti, me fokus avancimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në takimin e parë mes tyre, diskutimet u përqendruan te piketat përmbyllëse të Kapitullit 24, “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, si dhe të Kapitullit 22, “Politikat Rajonale dhe Koordinimi i Instrumenteve Strukturore”.
Palët diskutuan edhe mbi angazhimet institucionale që kërkohen për përmbushjen e këtyre detyrimeve dhe ritmin e reformave që lidhen me procesin e negociatave.
Demo vlerësoi gatishmërinë e Komisionit Europian për të vijuar mbështetjen ndaj Shqipërisë me ekspertizë dhe asistencë në fushat prioritare.
Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve shqiptare dhe strukturave të BE-së, në funksion të objektivit të qeverisë për përmbylljen e negociatave deri në vitin 2027.
“Me angazhim, rezultate konkrete dhe bashkëpunim të ngushtë mes ekipeve tona, vijojmë punën për përmbushjen e detyrimeve dhe avancimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”, u shpreh Demo.
Shqipëria vijon aktualisht negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian. Në korrik 2026, vendi mbylli përkohësisht kapitujt 25, 26 dhe 30, ndërsa procesi vijon me përmbushjen e piketave për kapitujt e tjerë.


