Tensionet mes Rusisë dhe NATO-s janë rritur pas një note proteste që Moska i ka dërguar Aleancës, duke kundërshtuar stërvitjet ushtarake që, sipas palës ruse, simulojnë “izolimin” e enklavës së Kaliningradit.
Përmes ambasadës së saj në Belgjikë, Rusia ka shprehur indinjatë ndaj asaj që e cilëson si një “linjë aventuriere dhe të papërgjegjshme” të NATO-s, duke pretenduar se aktivitetet e Aleancës rrisin ndjeshëm rrezikun e një përplasjeje të drejtpërdrejtë të armatosur.
Në dokument, Moska paralajmëron se është e gatshme të përdorë “të gjithë arsenalin e armëve që ka në dispozicion” për të mbrojtur territorin e saj. Deklarata vjen në një klimë të tensionuar sigurie mes Rusisë dhe vendeve të NATO-s.
Aleanca ka konfirmuar marrjen e dokumentit dhe ka bërë të ditur se i është përgjigjur Moskës, duke hedhur poshtë pretendimin se stërvitjet e saj përbëjnë kërcënim ndaj territorit rus.
“Mund të konfirmoj se na ka mbërritur një dokument joformal, një non-paper, dhe se ne i jemi përgjigjur, duke theksuar se NATO është një Aleancë mbrojtëse dhe se asnjë nga aktivitetet apo stërvitjet tona nuk përbën rrezik për asnjë pjesë të Rusisë”, deklaroi zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart. Hart është zëdhënëse e Aleancës që prej korrikut 2025.
NATO dënoi gjithashtu retorikën e Moskës për mundësinë e përdorimit të forcës, veçanërisht referencat ndaj armëve bërthamore.
“Ne dënojmë me forcë çdo kërcënim për përdorimin e forcës, përfshirë çdo retorikë të papërgjegjshme në fushën bërthamore”, tha Hart, duke i bërë thirrje Rusisë t’i japë fund luftës në Ukrainë.
Zëdhënësja akuzoi gjithashtu Moskën për përdorimin e taktikave hibride, ndërsa theksoi se zhvillimet e fundit nuk do të ndryshojnë mbështetjen e Aleancës për Ukrainën.
“I kemi mjetet e nevojshme për të mbrojtur çdo centimetër të territorit aleat dhe mbetemi të fortë, të gatshëm dhe të aftë për t’iu kundërvënë çdo kërcënimi”, deklaroi Hart.
NATO ka përsëritur vazhdimisht se e konsideron veten një aleancë mbrojtëse dhe se mbrojtja e territorit të vendeve anëtare mbetet në qendër të strategjisë së saj.


