Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar këtë të shtunë një takim me komunitetin shqiptar në Staten Island, New York, ku foli për rolin e diasporës, investimet në Shqipëri dhe marrëdhënien e re që, sipas tij, është krijuar mes emigrantëve dhe vendit të origjinës.
Rama e nisi fjalën me batuta për motin e keq që ishte parashikuar në New York, duke falënderuar shqiptarët për pjesëmarrjen.
“Më vjen mirë që jam këtu, ku thonë se është i vetmi vend në botë ku mund të gjesh Ismail Qemalin, Isa Boletinin dhe Roosevelt-in pranë njëri-tjetrit”, tha Rama.
Kryeministri e cilësoi me humor Staten Island si një “territor të pushtuar jozyrtarisht nga shqiptarët”, ndërsa kujtoi një takim të zhvilluar aty në vitin 2015 së bashku me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ku sipas tij ishte diskutuar edhe ideja e Samitit të parë të Diasporës.
Rama tha se gjatë dekadës së fundit raporti i Shqipërisë me diasporën ka ndryshuar. Sipas tij, në të kaluarën lidhja mbështetej kryesisht te paratë që emigrantët dërgonin për familjet, ndërsa sot ajo po shtrihet te investimet, biznesi dhe rikthimi i shqiptarëve në vend.
“Çdo familje shqiptare ka përfituar nga dërgesat financiare të diasporës”, tha Rama, duke e cilësuar kontributin e emigrantëve si një element të rëndësishëm në përmirësimin e jetesës së shumë familjeve shqiptare.
Kryeministri njoftoi gjithashtu se po punohet për krijimin e një Regjistri Kombëtar të Diasporës, i cili, sipas tij, do të shërbejë edhe si një dritare për shqiptarët jashtë vendit që duan të investojnë në Shqipëri.
Por Rama nuk la pa komentuar edhe protestën e zhvilluar gjatë qëndrimit të tij në New York, ku disa protestues shqiptarë hodhën vezë në drejtim të tij.
Duke ironizuar episodin, Rama tha se mes protestuesve kishte edhe një person që kishte ardhur nga Britania, ndërsa përmendi edhe faktin se një prej efektivëve të policisë që u angazhua gjatë incidentit ishte shqiptar.
“Falë kësaj ndërlidhjeje mes Shqipërisë dhe diasporës, u ndodha fiks si në Shqipëri, me protesta dhe me plot shqiptarë”, u shpreh Rama.
Ai bëri batuta edhe për pritjen që i ishte rezervuar gjatë vizitës, duke treguar se ishte pritur me një tortë rozë me dy flamingo, ndërsa në fund përmendi edhe kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreu.
“Kur pa që m’u hodhën ca vezë, erdhi me vrap kryepolici i Shqipërisë, Pjerin Ndreu”, tha Rama me ironi, duke e cilësuar më pas Ndreun si “një nga kryetarët më të mirë të bashkive”.
Takimi në Staten Island është pjesë e vizitës disaditore të Ramës në Shtetet e Bashkuara, gjatë së cilës ai ka marrë pjesë në aktivitetet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe ka zhvilluar takime me komunitetin shqiptar dhe përfaqësues politikë e ekonomikë.


