Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përdori fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për të theksuar marrëdhënien me presidentin amerikan Donald Trump, ndërsa iu përgjigj me tone të ashpra një sërë kritikësh të Izraelit.
“Izraeli nuk ka partner më të madh se presidenti Trump”, deklaroi Netanyahu, duke falënderuar presidentin amerikan për atë që e cilësoi si “udhëheqjen e tij të guximshme”.
Deklarata vjen vetëm një muaj përpara zgjedhjeve të 27 tetorit në Izrael, ku Netanyahu kërkon një mandat tjetër, ndërsa përballet njëkohësisht me presion të fortë ndërkombëtar për luftën në Gaza dhe politikat e qeverisë së tij.
Pavarësisht lavdërimeve ndaj Trumpit, raportet mes qeverisë izraelite dhe administratës amerikane kanë pasur edhe mosmarrëveshje për luftën me Iranin, Gazën dhe dhunën e kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor.
Netanyahu përdori një pjesë të madhe të fjalimit për t’iu kundërpërgjigjur kritikëve.
Ai kritikoi Britaninë dhe Francën për masat tregtare ndaj produkteve nga vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor dhe hodhi poshtë kritikat ndërkombëtare për zgjerimin e tyre.
Duke folur për dhunën e kolonëve ndaj palestinezëve, kryeministri izraelit argumentoi se çështja po merr vëmendje të tepruar ndërkombëtare. Megjithatë, ai shtoi se nuk do të tolerojë veprimet e paligjshme të individëve.
Fjalimi nisi mes tensioneve në sallë. Dhjetëra delegatë u larguan kur Netanyahu mori fjalën, ndërsa ai i quajti ata “frikacakë moralë”. Në të njëjtën kohë, mbështetës të Izraelit e pritën me duartrokitje.
Në shënjestër të kritikave të Netanyahut përfunduan edhe Katari dhe Turqia, të cilat ai i akuzoi për përhapjen e asaj që i cilësoi si “gënjeshtra antisemite”.
Kryeministri izraelit sulmoi gjithashtu kryebashkiakun e Nju Jorkut, Zohran Mamdani, duke e akuzuar për antisemitizëm dhe lidhje politike me mbështetës të Hamasit. Mamdani i ka kundërshtuar akuzat dhe, pas fjalimit, akuzoi Netanyahun se po përdorte “gënjeshtra të pabaza” për të justifikuar veprimet e Izraelit në Gaza.
Netanyahu iu përgjigj edhe presidentit sirian Ahmad al-Sharaa, i cili një ditë më parë kishte deklaruar në OKB se Lartësitë Golan “do të mbeten tokë siriane”.
Kryeministri izraelit iu referua lidhjeve historike hebraike me zonën dhe i sugjeroi presidentit sirian të lexonte Biblën.
Fjalimi i Netanyahut erdhi në një moment të ndjeshëm politik për të, me zgjedhjet izraelite vetëm disa javë larg dhe me presionin ndërkombëtar ndaj qeverisë së tij që mbetet i lartë.


