×
Saturday, June 13, 2026

641 mijë euro për përafrimin e legjislacionit hekurudhor me standardet e BE-së

June 13, 2026


Asistenca teknike për përafrimin e legjislacionit hekurudhor shqiptar me atë të Bashkimit Evropian do të kushtojë 641 mijë euro pa TVSH. Projekti financohet përmes Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA III) dhe do të zbatohet gjatë një periudhe 15-mujore.

Sipas dokumenteve të tenderit, fitues është shpallur konsorciumi i udhëhequr nga kompania serbe EPTISA Southeast Europe, në partneritet me kompaninë spanjolle EPTISA Servicios de Ingenieria. Procedura e prokurimit është publikuar edhe në platformën e prokurimeve publike të Bashkimit Evropian.

Objektivi kryesor i projektit është mbështetja e Shqipërisë në harmonizimin e politikave dhe legjislacionit të sektorit hekurudhor me acquis communautaire të BE-së, si dhe forcimi i kapaciteteve administrative të institucioneve që do të operojnë në këtë sektor.

Projekti parashikon hartimin dhe prioritizimin e kuadrit ligjor hekurudhor në përputhje me standardet evropiane, si dhe organizimin e trajnimeve dhe aktiviteteve për ngritjen e kapaciteteve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe autoriteteve të tjera përgjegjëse për sektorin hekurudhor.

Kjo nismë vjen në një periudhë kur Shqipëria po investon në modernizimin e infrastrukturës hekurudhore, përmes projekteve si rehabilitimi i linjës Tiranë-Durrës dhe ndërtimi i degëzimit që lidh rrjetin hekurudhor me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

Paralelisht me investimet infrastrukturore, vendi po avancon edhe me reformat institucionale dhe ligjore të kërkuara në kuadër të procesit të integrimit evropian, veçanërisht në zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga Kapitulli 14 i negociatave, “Politikat e Transportit”.




Comments are closed.