Merz: Sulmi në Ditën e Christopher Street ishte një akt i neveritshëm
Kancelari gjerman Friedrich Merz ka dënuar ashpër sulmin gjatë festimeve të Ditës së Christopher Street, duke e cilësuar atë si një “akt të neveritshëm” dhe një sulm ndaj vetë shoqërisë gjermane.
Në një reagim të publikuar në platformën X, Merz tha se qindra mijëra njerëz nga e gjithë bota ishin mbledhur për të festuar në mënyrë paqësore, me mesazhe mirëkuptimi dhe tolerance.
“Qindra mijëra njerëz nga e gjithë bota po festonin në mënyrë paqësore në Ditën e Christopher Street. Ata donin që ne të sillemi me njëri-tjetrin me mirësi dhe tolerancë. Ky është një sulm ndaj shoqërisë sonë”, shkroi kancelari.
Merz theksoi se Gjermania mbetet një vend “mendjehapur dhe liridashës” dhe se qeveria do të vazhdojë të mbrojë këto vlera.
Ai garantoi gjithashtu se autoritetet do të zhvillojnë një hetim të plotë dhe se autorët do të përballen me drejtësinë.
“Do të hetojmë dhe ndjekim penalisht këtë ngjarje me gjithë forcën e ligjit”, deklaroi ai, duke shprehur solidaritetin me të gjithë të prekurit nga sulmi.
Edhe ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, reagoi duke u shprehur se ishte “i tronditur nga ky sulm frikacak dhe i neveritshëm ndaj njerëzve që festonin në mënyrë paqësore”.
Sipas tabloidit gjerman Bild, Dobrindt ka ndërprerë angazhimet e tij dhe po rikthehet në Berlin për të ndjekur nga afër zhvillimet dhe për të shqyrtuar situatën me autoritetet e sigurisë.







