×
Friday, May 14, 2021

Zbulimi i SHBA: Rusia u përpoq të ndikonte zgjedhjet amerikane

March 16, 2021

Zyrtarët amerikanë të zbulimit thanë të martën se qeveria ruse u përpoq të ndikonte në fushatën presidenciale të 2020-s në SHBA me “aludime mashtruese ose të pabazuara” kundër kandidatit të atëhershëm Joe Biden përmes disa aleatëve të ish-Presidentit Trump dhe të administratës së tij.

Ky vlerësim jepet në një raport prej 15 faqesh për ndërhyrjet në zgjedhje, të botuar nga Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar.

Në raport thuhet se Presidenti rus Vladimir Putin ishte në dijeni dhe me gjasë i drejtoi vetë përpjekje për të manipuluar fushatën presidenciale të SHBA.

Raporti nënvizon aludimin se aleatët e zotit Trump bënë lojën e Moskës, duke amplifikuar në prag të zgjedhjeve të 3 nëntorit pretendimet e ngritura kundër zotit Biden nga disa figura ukrainase të lidhura me Rusinë. Zoti Biden mundi ish-Presidentin Trump në zgjedhje dhe mori detyrën si president më 20 janar.

Agjencitë e zbulimit amerikan identifikuan edhe tentativa të tjera për të ndikuar te votuesit, duke përfshirë një “fushatë ndikimi të fshehtë shumëplanëshe” nga ana e Iranit, që synonte të ulte mbështetjen për zotin Trump. Raporti gjithashtu nxjerr si të pavërtetë një version të mbështetur nga aleatët e zotit Trump se Kina po ndërhynte në emër të kandidatit Biden. Raporti arrin në përfundimin se Pekini “nuk bëri përpjekje për ndërhyrje”.

“Kina kërkoi stabilitet në marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara dhe mendoi se nuk do t’ia vlente (të bënte diçka), pasi cilido rezultat zgjedhor nuk do t’i krijonte asaj ndonjë avantazh aq sa të rrezikonte një kundërpërgjigje nëse kapej,” thuhet në raport.

Zyrtarët amerikanë thanë se ata kishin zbuluar gjithashtu përpjekje nga ana e Kubës, Venezuelës dhe grupit militant libanez Hezbollah për të ndikuar në zgjedhjet e SHBA. Megjithatë, thonë autorët e raportit, “në përgjithësi, ne vlerësojmë se ato ishin më të vogla në krahasim me ato të ndërmarra nga Rusia dhe Irani”.

Agjencitë amerikane të zbulimit dhe ish-prokurori i posaçëm Robert Mueller disa vjet më parë arritën në përfundimin se Rusia ndërhyri në zgjedhjet e 2016-s për t’i dhënë shtytje kandidaturës së zotit Trump me një fushatë propagande që synonte dëmtimin e kundërshtares së tij demokrate Hillary Clinton.

SANKSIONE KUNDËR RUSISË?

Televizioni CNN njoftoi të martën se Shtetet e Bashkuara pritet të njoftojnë sanksione ndaj Rusisë për ndërhyrjen e pretenduar të saj në zgjedhjet presidenciale të SHBA në vitin 2020.

Duke cituar burime pa emër,CNN tha se sanksionet mund të shpallen qysh javën e ardhshme.

Irani gjithashtu ka të ngjarë të përballet me sanksione, njoftoi CNN./ VOA

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për