Presidenti bjellorus Alexander Lukashenko ka deklaruar se vendi i tij nuk ka sasi të mjaftueshme potasi për të përmbushur kërkesën e Shteteve të Bashkuara, pasi prodhimi aktual është rezervuar nëpërmjet kontratave ekzistuese.
“Edhe nëse do të dëshironim të furnizonim tregje të tjera perëndimore, thjesht nuk i kemi ato sasi. Gjithçka është e kontraktuar”, tha Lukashenko gjatë një takimi me kreun e autoritetit doganor bjellorus, Vladimir Orlovsky.
Deklarata erdhi në të njëjtën ditë kur presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se Uashingtoni po punonte për një marrëveshje të madhe për blerjen e plehrave me bazë potasi nga Bjellorusia.
Sipas Trumpit, produkti bjellorus mund të blihet me një çmim dukshëm më të ulët se ai i ofruar nga Kanadaja, me të cilën Shtetet e Bashkuara janë përfshirë në një përplasje tregtare.
“Çmimi do të ishte ndjeshëm më i ulët se ai që po paguajmë aktualisht Kanadasë. Ky është një lajm shumë i mirë për fermerët dhe blegtorët tanë”, shkroi Trump në platformën “Truth Social”.
Kanadaja është prodhuesja më e madhe e potasit në botë, me rreth 15 milionë tonë metrikë në vit. Bjellorusia prodhon rreth 6 milionë tonë, ndërsa importet vjetore amerikane arrijnë në rreth 5.6 milionë tonë.
Lukashenko njoftoi në fillim të shtatorit se vendi i tij kishte nisur të furnizonte sërish Shtetet e Bashkuara me potas, për herë të parë që prej vitit 2021. Megjithatë, ai nuk bëri të ditur sasinë e shitur dhe nëse dërgesa kishte mbërritur në SHBA.
Uashingtoni vendosi sanksione ndaj sektorit bjellorus të plehrave kimike pas shtypjes së protestave që pasuan zgjedhjet e kontestuara të vitit 2020. Këto masa u hoqën në mars.
Presidenti bjellorus kërkon gjithashtu që SHBA-ja të zhbllokojë fondet shtetërore të Bjellorusisë, me vlerë rreth 43–44 milionë dollarë, të ngrira në “Citibank” që prej vitit 2022.
“Fillimisht na ktheni paratë tona”, deklaroi Lukashenko, duke e paraqitur zhbllokimin e fondeve si kusht për avancimin e bashkëpunimit tregtar.
I dërguari i posaçëm i Trumpit, John Cole, deklaroi gjatë një vizite në Minsk se Uashingtoni ishte i gatshëm të lironte fondet e ngrira.
Më herët gjatë vitit, Shtetet e Bashkuara i kërkuan Ukrainës të lejonte përdorimin e territorit të saj për transportimin e potasit bjellorus. Kievi e refuzoi kërkesën, e cila nga pala amerikane ishte argumentuar me interesat ekonomike të vendit.


