Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka bërë deklarata provokuese përpara vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke pretenduar se ish-presidenti Hashim Thaçi pritet të lirohet nga pjesa më e madhe e akuzave.
“Vendimi kundër Hashim Thaçit do të shpallet më 16 shtator dhe, për sa di unë, do të jetë kryesisht lirim nga akuzat. Perëndimi dëshiron të thotë se ne jemi të vetmit fajtorë dhe se duhet ta pranojmë këtë, sepse nuk ka pasur krime kundër jush… Gjaku serb as nuk ka rëndësi”, deklaroi Vuçiç.
Presidenti serb e lidhi çështjen edhe me trajtimin e të dënuarve serbë për krime lufte, duke shprehur zemërim për faktin që ish-komandanti ushtarak i serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç, vazhdon të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm. Vuçiç e cilësoi këtë si “sjellje anti-civilizuese, pa precedent dhe pa justifikim”.
Mladiç është dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë gjenocidin e Srebrenicës.
Vuçiç paralajmëroi gjithashtu se pas 16 shtatorit do të udhëtojë drejt Nju Jorkut, ku tha se do të flasë si përfaqësues i Serbisë për vuajtjet e popullit serb gjatë konflikteve të viteve 1990.
Deklaratat e presidentit serb vijnë përpara vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, të cilët janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave të ngritura kundër tyre.
Pretendimet e Vuçiç për përgjegjësitë gjatë luftërave të viteve 1990 përplasen me vendime të gjykatave ndërkombëtare, të cilat kanë dokumentuar dhe dënuar gjenocidin në Srebrenicë, si dhe krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera nga forcat serbe gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi.


