Kuvendi mblidhet sot, Demo në interpelancë për protestat

22 Oct 2026 • 08:53
Shpërndaje:

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në orën 10:00 në seancë plenare, për herë të parë pas nisjes së protestave të ditëve të fundit, të shoqëruara me përplasje dhe akte dhune.

Në pikën e tretë të rendit të ditës është parashikuar një interpelancë urgjente me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, e kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.

Në qendër të diskutimeve pritet të jenë menaxhimi i protestave, veprimet e Policisë së Shtetit dhe përplasjet mes efektivëve dhe protestuesve.

Reklamë Ola

Kryeministri Edi Rama nuk pritet të marrë pjesë në seancë, pasi ndodhet në Budva të Malit të Zi për një takim zyrtar.

Rendi i ditës përfshin gjithashtu dy interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi. Ky i fundit ka kërkuar edhe një interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj.

Reklamë InterMedika

Deputetët do të shqyrtojnë disa projektligje, si dhe projektvendimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.

Seanca zhvillohet pas shtyrjes së mbledhjes plenare të javës së kaluar për shkak të situatës së krijuar nga protestat.