Vuçiç njofton dorëheqjen: Të dielën në orën 20:00 largohem nga posti i Presidentit të Serbisë

25 Sep 2026 • 10:02
Shpërndaje:

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka njoftuar se do të japë dorëheqjen nga posti të dielën, më 27 shtator, rreth orës 20:00, ndërsa ka paralajmëruar se do t’u shpjegojë qytetarëve arsyet e vendimit.

Njoftimin Vuçiç e bëri gjatë një prononcimi për gazetarët në Nju Jork, ku ndodhet për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Të dielën do të jetë një ditë e ngarkuar. Të dielën në mbrëmje do të jap dorëheqjen, mendoj se do të jetë rreth orës tetë”, deklaroi Vuçiç.

Reklamë Ola

Presidenti serb tha se në momentin e dorëheqjes do të bëjë publik edhe shpjegimin për vendimin e tij.

Para largimit nga posti, Vuçiç pritet të zhvillojë një bisedë me presidentin rus Vladimir Putin, me të cilin do të diskutojë ndër të tjera edhe situatën e Industrisë së Naftës së Serbisë, NIS.

Reklamë InterMedika

Vuçiç tha se shpreson që pas bisedës me Putinin të ketë një përgjigje më të qartë për të ardhmen e kompanisë.

“Po pres një bisedë me presidentin Putin. Ndoshta atëherë do të di diçka më shumë. Shpresoj që brenda dy ose tre ditësh të kem një përgjigje më të mirë dhe më të saktë”, u shpreh ai.

Çështja e NIS-it është kthyer në një prej problemeve kryesore energjetike dhe ekonomike për Beogradin, ndërsa autoritetet serbe po kërkojnë një zgjidhje për kompaninë e lidhur ngushtë me kapitalin rus.

Vuçiç e kishte paralajmëruar edhe më herët largimin nga posti presidencial, duke deklaruar se dëshironte të hynte në fushatën për zgjedhjet parlamentare si qytetar i zakonshëm dhe jo duke përdorur pozicionin e kreut të shtetit.

Dorëheqja e paralajmëruar për të dielën pritet të hapë një fazë të re politike në Serbi, ndërsa Vuçiç ka lënë për atë mbrëmje shpjegimin e plotë të vendimit të tij.