Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në edicionin e tetë të Këshillit Evropian të Korporatave për Afrikën dhe Lindjen e Mesme (ECAM), të zhvilluar në Nju Jork, ku në fokus të fjalës së tij ishin paqja, zhvillimi ekonomik dhe e ardhmja e brezave të rinj.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se paqja dhe zhvillimi ekonomik nuk mund të shihen si procese të ndara, por janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.
“Paqja nuk është një arritje diplomatike që i paraprin zhvillimit ekonomik, por një kusht politik që zhvillimi ekonomik të bëhet i mundur”, u shpreh Rama.
Duke folur për sfidat me të cilat përballen sot Europa, Afrika dhe Lindja e Mesme, kryeministri u ndal edhe te rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimit të përvojave mes vendeve.
Sipas Ramës, Europa ka gjithashtu shumë për të mësuar nga pjesët e tjera të botës, ndërsa zhvillimi duhet të shihet përtej rezultateve të menjëhershme ekonomike.
“Shkalla e vërtetë e përparimit është horizonti i mundësive që u lëmë brezave që vijnë”, theksoi kryeministri.
Edicioni i tetë i ECAM Council Summit u zhvillua nën temën “Formësimi i Rendit të Ri Global: Afrika, Lindja e Mesme dhe Arkitektura e së Nesërmes”, duke mbledhur liderë politikë, përfaqësues institucionesh, investitorë dhe drejtues biznesi për të diskutuar bashkëpunimin dhe investimet në rajon.
Forumi u zhvillua në Nju Jork në të njëjtën periudhë me punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.


