Vuçiç nga OKB falënderon shtetet që nuk e njohin Kosovën: Keni qenë nën presion, por qëndruat konsistente

24 Sep 2026 • 08:50
Shpërndaje:

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e përdori fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të përsëritur qëndrimin e Beogradit kundër pavarësisë së Kosovës dhe për të falënderuar vendet që nuk e kanë njohur atë.

Vuçiç deklaroi se 107 shtete nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe pretendoi se shumë prej tyre kanë qenë nën presion për të ndryshuar qëndrim.

“Dua të falënderoj individualisht secilin nga 107 shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e shpallur njëanshëm nga e ashtuquajtura Kosovë. E dimë se shumë prej jush keni qenë subjekt i presionit. Faleminderit që keni qenë konsistente”, deklaroi presidenti serb.

Reklamë Ola

Gjatë fjalimit, Vuçiç iu rikthye edhe ndërhyrjes së NATO-s kundër Republikës Federale të Jugosllavisë në vitin 1999, duke e paraqitur atë si shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe duke kundërshtuar sërish shkëputjen e Kosovës nga Serbia.

“Tentuan të merrnin 14 për qind të territorit të Serbisë. Kjo mund të duket si e kaluar e largët për ta, por plagët e vendosura në të drejtën ndërkombëtare janë të thella dhe të rënda”, tha Vuçiç.

Reklamë InterMedika

Presidenti serb foli gjithashtu për dialogun Kosovë-Serbi dhe Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, duke kritikuar moskrijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Vuçiç pretendoi se Serbia i ka përmbushur detyrimet e saj nga marrëveshja, ndërsa pala kosovare nuk ka zbatuar angazhimin për Asociacionin.

“Dua t’ju paralajmëroj të gjithëve këtu: bëjini sytë katër kur nënshkruani me fuqitë e mëdha”, deklaroi ai, duke iu referuar rolit të Bashkimit Europian si ndërmjetësues në marrëveshjen e vitit 2013.

Kosova e shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008. Serbia nuk e njeh shtetësinë e saj, ndërsa dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit zhvillohet prej vitesh nën ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.