×
Sunday, April 19, 2026

Von der Leyen: Jetojmë në kohë të rrezikshme! BE-ja duhet të jetë e gatshme të mbrohet, madje edhe e vetme

September 21, 2025


Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen shprehet se Evropa po “jeton” në një kohë shumë të rrezikshme, por përjashton mundësinë e një Lufte të Tretë Botërore. Në një intervistë, ajo theksoi nevojën për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Bashkimit Evropian, ndërsa shtoi se, ndonëse NATO mbetet shtylla kryesore e mbrojtjes, Europa duhet të bëhet më e pavarur në këtë fushë.

“Incidentet, në veçanti ai që ndodhi në Poloni, janë jashtëzakonisht domethënës. Nëse është e vërtetë se NATO duhet të mbetet shtylla kurrizore e mbrojtjes sonë kolektive, është gjithashtu e vërtetë se kemi nevojë për një shtyllë europiane shumë më të fortë. Europa duhet të jetë më e vetë-mjaftueshme dhe e pavarur për sa i përket sigurisë.”, deklaroi Von der Leyen.

Von der Leyen përmendi programin “Gatishmëria për 2030” dhe investimet në industrinë e mbrojtjes si hapa konkretë. Ajo paralajmëroi për rreziqet që vijnë nga sulmet hibride dhe ndërhyrjet ruse në sistemet GPS, veçanërisht në rajonet përreth Detit të Zi dhe Baltikut. Në fushën energjetike, ajo u shpreh se BE po redukton varësinë nga Rusia, duke investuar në burime të rinovueshme, por nuk synon shkëputje të plotë nga tregjet globale, duke e konsideruar SHBA një partner të besueshëm.

“Por siguria energjetike nuk do të thotë pavarësi totale: perspektiva e një autonomie të plotë nga tregjet globale nuk është as realiste dhe as e dëshirueshme. BE mbetet e ndërthurur dhe importet e naftës, GNL-së dhe, eventualisht, hidrogjenit do të vazhdojnë të jenë pjesë e përzierjes energjetike. Në këtë aspekt SHBA është një partner i besueshëm dhe një element thelbësor i strategjisë sonë më të gjerë të diversifikimit. Kjo vizion është konkretizuar në marrëveshjen tregtare BE-SHBA.”, shtoi ajo.

Për marrëdhëniet tregtare me SHBA-në dhe tarifat doganore të vendosura nga Donald Trump, ajo tha se shmangia e një lufte tregtare ishte në interesin e Europës dhe vendeve të punës. Në fund, Von der Leyen mohoi zërat për kandidaturën e saj për presidente të Gjermanisë dhe konfirmoi angazhimin e saj për ta përfunduar mandatin në Komisionin Europian.

Duke u ndalur te lufta në Gaza, ajo kërkoi armëpushim të menjëhershëm dhe theksoi se zgjidhja me dy shtete është e vetmja rrugë për paqe të qëndrueshme.

Intervista e plotë e publikuar nga “La Repubblica”

Lena (The Leading European Newspaper Alliance), aleanca e gazetave e formuar nga La Repubblica, Le Soir, Le Figaro, El País, Welt, Tages Anzeiger, Tribune de Genève dhe Gazeta Wyborcza, i ka paraqitur këto pyetje presidenteve të Komisionit Europian Ursula Von der Leyen me rastin e dhjetëvjetorit të krijimit të shoqatës.

Po shkojmë drejt Luftës së Tretë Botërore?

“Jo, por po jetojmë në kohë shumë të rrezikshme. Do të bëj gjithçka që është në fuqinë time për të ruajtur paqen dhe lirinë në Europë. Pikërisht për këtë po i forcojmë kapacitetet tona mbrojtëse me kaq shumë vendosmëri. Në një botë gjithnjë e më armiqësore, duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të mbrojtur demokracinë, begatinë dhe paqen”.

BE dëshiron të luajë një rol më vendimtar në fushën e mbrojtjes, por praktikisht të gjitha kompetencat në këtë sektor i takojnë shteteve anëtare (dhe NATO-s): sipas jush cili do të jetë roli i BE-së në të ardhmen? A do të bëhet një Bashkim i vërtetë i mbrojtjes?

“Bashkimi Europian është përgjegjës për tregun e vetëm për industritë e tij, për kërkimin dhe inovacionin dhe për NVM-të, ku përfshihet edhe baza industriale e mbrojtjes. Ne marrim përsipër përgjegjësitë tona për të mbrojtur Unionin. Duhet të përballemi me realitetin: bota ka ndryshuar thellësisht dhe duhet të përgatitemi për të përballuar sfidat që do të na vijnë. Kjo do të thotë t’i tregojmë vetes, aleatëve dhe kundërshtarëve tanë se Europa ka ndërmend të mbrohet dhe është e aftë ta bëjë këtë. Dhe duke menduar për iniciativat e shumta që kemi marrë — për sigurinë tonë energjetike, për gatishmërinë tonë në mbrojtje — pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, jemi në rrugën e duhur”.

Kemi parë një mungesë angazhimi të ushtrisë amerikane në përgjigjen e NATO-s ndaj sulmit me dronë të Rusisë kundër Polonisë. A është kjo prova e radhës se në të ardhmen, nëse paraqiten kriza të këtij lloji, mund të mbështetemi vetëm në forcat europiane brenda NATO-s? Apo edhe jashtë strukturave të NATO-s?




Comments are closed.