Bajram Begaj mesazh për 1 Maji: “Njerëzit e punës ndërtojnë çdo ditë Shqipërinë”
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka uruar punëtorët me rastin e 1 Maji, duke shprehur nderim dhe mirënjohje për sakrificën, përkushtimin dhe ndershmërinë e tyre.
Në një mesazh të posaçëm, Kreu i Shtetit vlerësoi rolin e njerëzve të punës, duke theksuar se janë ata që ndërtojnë çdo ditë Shqipërinë.
“Në 1 Maj nderojmë dhe shprehim mirënjohjen më të thellë për njerëzit e punës, të cilët, me përkushtim, sakrificë dhe ndershmëri, ndërtojnë çdo ditë Shqipërinë”, u shpreh ai.
Presidenti theksoi gjithashtu nevojën për më shumë mbështetje dhe vlerësim për punëtorët, duke e konsideruar këtë ditë si një moment reflektimi për shoqërinë.
“Puna e tyre meriton vlerësim, dinjitet dhe mbështetje maksimale. Kjo ditë duhet të shërbejë si një kujtesë e fortë për të gjithë shoqërinë… për më shumë drejtësi sociale dhe solidaritet. Faleminderit çdo njeriu të punës!”, theksoi Bajram Begaj.
1 Maji është një ditë simbolike në mbarë botën për të drejtat e punëtorëve, duke kujtuar sakrificat dhe arritjet e tyre në historinë e lëvizjes punëtore.







