×
Tuesday, July 14, 2026

Besnik Vathi: Mbështetja e qeverisë për koncertin e Kanye West ishte investim për marketingun e Shqipërisë

July 13, 2026


Koncerti i artistit amerikan Kanye West në Tiranë u shoqërua me debate pas vendimit të qeverisë për ta mbështetur financiarisht me 4.2 milionë euro. Kryeministri Edi Rama e justifikoi këtë financim si një investim për të mbrojtur dhe promovuar imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Turoperatorëve, Besnik Vathi, gjatë një interviste për Vizion Plus, u shpreh në mbështetje të këtij vendimi, duke argumentuar se bëhet fjalë për një investim në marketingun e vendit dhe jo për një aktivitet me qëllim fitimi.

“Unë bëj pjesë tek ata individë të cilët janë pro çdo shpenzimi që vjen për marketingun e vendit dhe turizmit. Që në krye të herës ky event nuk u shit si një aktivitet tregtar, por si një event marketingu për imazhin e Shqipërisë. Ndaj mendoj se paratë që janë shpenzuar janë një vendim i duhur. Shumë shtete aplikojnë suport financiar në segmente të caktuara të ekonomisë”, tha Vathi.

Sipas tij, mbështetja financiare e shtetit duhet të shtrihet edhe në promovimin ndërkombëtar të turizmit shqiptar.

“Nëse sot ne japim 4.2 milionë euro për një koncert, pse të mos japim këtë shifër edhe për prezencën e Shqipërisë në më shumë panaire turizmi që organizohen në botë. Kjo do të ishte një vlerë e shtuar për sektorin”, u shpreh ai.

Vathi komentoi edhe pritshmëritë për koncertin, duke theksuar se interesi nuk ishte në nivelet e parashikuara.

“Shqipëria nuk njihet ende si një vend eventesh. Ky koncert ishte i pari i këtyre përmasave. Nga ana tjetër, protestat qytetare dhe thirrja për bojkot të tij kanë qenë arsye pse nuk pati interesin e pritur”, deklaroi ai.

Koncerti i Kanye West u zhvillua në një stadium të ndërtuar posaçërisht me kapacitet prej 60 mijë vendesh, ndërsa çmimet e biletave varionin nga 120 deri në 330 euro.




Comments are closed.