×
Friday, April 19, 2024

“Turizmi, Solidaritet dhe Qëndrueshmëri”, ministrat e turizmit të Ballkanit tryezë diskutimi në Tiranë

January 14, 2020


Në Tiranë sot u zhvillua samiti ndërkombëtar me temë “Turizmi, solidaritet dhe qëndrueshmëri”, në mbështetje të familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ministri i Turizmit dhe Mjedisit i Shqipërisë, Blendi Klosi, përfaqësues të ministrive të Turizmit dhe Ekonomisë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia, Italia, Sllovenia, Serbia, Kroacia dhe Mali i Zi.

Në fjalën e tij ministri i Turizmit dhe Mjedisit i Shqipërisë, Blendi Klosi u shpreh se “është në traditën e shqiptarit që shtëpia të jetë e Zotit dhe e mikut”.

“Organizojmë këtë samit për të treguar së Shqipëria ka tashmë një ofertë turistike të konsoliduar, të qëndrueshme dhe në çdo kohë. Shqipëria tashmë ka hyrë në listën e vendeve me industri turizmi konkuruese”, tha Klosi.

Sipas tij, turizmi nuk është vetëm një industri që shet vetëm kënaqësi, që ofron vetëm paketa turistike, por turizmi është një shtyllë e rëndësishme ekonomike, e cila, sipas tij, mund të japë ndihmesa të rëndësishme edhe në kuadër të trajtimit të krizave humanitare.

Ndërsa ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, në fjalën e tij tha se “Shqipëria nuk është vetëm fqinji ynë, por është një vend miqësor dhe partner strategjik i Maqedonisë së Veriut”.

“Vendi ynë është solidar. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut e kujtojnë dëmin nga tërmeti katastrofik i vitit 1963 që goditi Shkupin. Atëherë ishte thelbësore ndihma që vinte nga të gjithë anët e botës dhe me ndihmën e tillë u arrit që të rindërtohet Shkupi. Menjëherë pas tërmetit katastrofik në Shqipëri ne dërguam ndihmë jo vetëm financiare, por dhe ekipe mbi 50 persona për të shpëtuar dhe siguruar ndihmën e parë qytetarëve të zonave të prekura. Ekipet tona ishin ndër të parat që arritën në zonat e prekura dhe që ofruan ndihmë për të gjithë shqiptarët”, tha Bekteshi.

Sipas tij, qytetarët e Maqedonisë së Veriut hapën dyert për qytetarët e prekur që kishin mbetur pa shtëpi dhe ofruan strehim.

Aktiviteti u organizua nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë dhe me mbështetjen e Organizatës Botërore të Turizmit, ndërsa synonte të ofronte solidaritetin dhe mbështetjen për Shqipërinë, pas tërmetit që goditi vendin në nëntor të vitit të kaluar, i cili shkaktoi dhjetëra të vdekur dhe qindra të plagosur.

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments