Trump: NATO të bëjë më shumë në Lindjen e Afërt



Rritja e tensioneve me Iranin dhe e rrezikut për sigurinë në Lindjen e Afërt kanë bërë që presidenti Trump të kërkojë nga NATO më shumë angazhim në Gjirin Persik. Partnerët transatlantikë kanë reaguar me diplomaci.
Presidenti amerikan, Donald Trump pret nga NATO, që të angazhohet më shumë në Lindjen e Afërt. Këtë Trump e bëri të qartë në një telefonatë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur, se Trump në bisedë ka theksuar vlerën e NATO-s dhe rolin e saj në ndalimin e konflikteve e ruajtjen e paqes në rajon. Jens Stoltenberg është treguar i hapur, sipas të dhënave nga Brukseli. “Ata kanë rënë dakord që NATO mund të kontribuojë më shumë në stabilitetin rajonal dhe luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar”, bëri të ditur aleanca në Bruksel. Të dy do të mbeten në kontakt për këtë çështje.
DW

