Koçiu dënon dhunën në protestë: Sulmet ndaj policisë nuk përfaqësojnë shqiptarët

28 Nov 2026 • 18:46
Shpërndaje:

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu reagoi sot ndaj protestës së zhvilluar në Tiranë, duke dënuar aktet e dhunës ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit dhe institucioneve publike.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçiu ndau pamje nga përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit, duke kritikuar zhvillimin e akteve të dhunshme në Ditën e Flamurit.

“Për të disatën herë, një protestë e dhunshme që nuk përfaqëson as Shqipërinë dhe as shqiptarët. Kjo është fytyra e vërtetë e politikës së rrugës pa rrugëdalje, që sot nuk kurseu as Ditën e Flamurit, duke e kthyer festën e kombit në një sulm të verbër ndaj Shqipërisë dhe Policisë së Shtetit”, deklaroi Koçiu.

Reklamë Ola

Zëvendëskryeministrja kritikoi gjithashtu përdorimin e simboleve kombëtare gjatë akteve të dhunës.

“Të përpiqesh të mbulosh dhunën me flamurin kuqezi nuk të bën patriot, por thjesht një përdorues të vogël të një simboli të madh”, shtoi ajo.

Reklamë InterMedika

Sipas Koçiut, skenat e dhunës nuk nderojnë historinë e Pavarësisë, sakrificat e brezave dhe as aspiratën evropiane të Shqipërisë.

Në përfundim të reagimit, zëvendëskryeministrja ritheksoi angazhimin e qeverisë për zhvillimin e vendit dhe integrimin në Bashkimin Evropian.

“Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj dhe nuk kthehet më pas. Ka zgjedhur punën, zhvillimin dhe Europën”, u shpreh Koçiu.