Emiratet e Bashkuara Arabe kanë nderuar Ditën e Flamurit dhe 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, duke ndriçuar me ngjyrat kuqezi ndërtesën më të lartë në botë, Burj Khalifa, në Dubai.
Kulla ikonike është ndriçuar me ngjyrën e kuqe dhe shqiponjën e zezë dykrenare, në shenjë respekti për festën kombëtare të shqiptarëve.
Pamjet janë ndarë në rrjetet sociale nga kryeministri Edi Rama, i cili ka shprehur mirënjohjen ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe për këtë gjest simbolik.
“Në Dubai, miqtë e Emirateve të Bashkuara Arabe nderojnë ditën e Flamurit Kombëtar të Shqipërisë. Faleminderit dhe respekt”, shkroi Rama.
Ndriçimi i Burj Khalifa me flamurin shqiptar vjen si një shenjë miqësie dhe respekti ndërmjet dy vendeve, në një nga ditët më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë.


