Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar ashpër homologun ukrainas Volodymyr Zelensky për rifillimin e sulmeve ndaj rafinerive ruse të naftës, duke e akuzuar se po ndikon në rritjen e çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare.
Gjatë një interviste për televizionin amerikan Newsmax, Trump i cilësoi sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike të Rusisë si të papranueshme, duke argumentuar se ato rëndojnë situatën në tregun global të naftës.
“Është për të ardhur keq! Ka kaq shumë objektiva të tjera”, deklaroi presidenti amerikan, duke iu referuar rafinerive ruse.
Sipas tij, goditja e këtyre objekteve ka pasoja që shkojnë përtej konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës.
“E tëra çfarë bën është të rrisë çmimet e naftës në mbarë botën”, u shpreh Trump.
Presidenti amerikan shprehu gjithashtu pakënaqësi me qëndrimin e Zelenskyt ndaj negociatave për përfundimin e luftës, duke pretenduar se bashkëpunimi me udhëheqësin ukrainas është më i vështirë sesa me presidentin rus Vladimir Putin.
“Është më e vështirë të punosh me Zelenskyn sesa me Putinin”, tha Trump.
Ai vuri në dyshim edhe gatishmërinë e Kievit për të arritur një marrëveshje paqeje me Moskën.
“Ai thotë se po, por në realitet nuk po”, shtoi presidenti amerikan.
Ukraina rifillon sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse
Deklaratat e Trump vijnë pas një sulmi ukrainas me dronë ndaj një rafinerie nafte në rajonin rus të Ryazanit.
Sipas raportimeve, ky ishte sulmi i parë ndaj një objekti energjetik rus që prej njoftimit të presidentit amerikan për një armëpushim që synonte ndalimin e goditjeve ndaj infrastrukturës energjetike.
Të enjten, më 15 tetor, Zelensky njoftoi se Ukraina do të rifillonte sulmet ndaj rafinerive ruse, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit energjetik të shpallur nga Trump.
Presidenti ukrainas i bëri thirrje Uashingtonit të mos mbështesë qëndrimet e Moskës, duke theksuar se Rusia është vendi që nisi agresionin ushtarak ndaj Ukrainës.
Përplasja mes dy presidentëve nxjerr në pah dallimet në qëndrimet e Uashingtonit dhe Kievit për mënyrën e zhvillimit të luftës dhe kushtet e një marrëveshjeje paqeje.
Ndërsa Trump kërkon kufizimin e sulmeve që mund të ndikojnë në tregjet energjetike, Ukraina e konsideron goditjen e infrastrukturës ruse të naftës pjesë të strategjisë së saj për të dobësuar kapacitetet ekonomike dhe ushtarake të Moskës.


