Kush shkon për të bërë blogerin në protestë dhe përfundon në Lanë si Klevis Balliu

17 Oct 2026 • 22:33
Shpërndaje:

Nga Hermes Kafexhiu

Nuk është aq ironike sa duket në titull, por padyshim është qesharake në mes të kësaj situate kaq serioze.

Dje të gjithë ishim dëshmitarë të një situate, e cila vjen si pasojë e një tradhtie konsistente të kauzave të qytetarëve nga opozita. Jo më larg se dje, në shkrimin e BBC-së shkruhej se protestat në Shqipëri kanë një thirrje unike: ato janë edhe anti-opozitës së mandatuar në Parlament. Ka thirrje për largimin jo vetëm të kryeministrit, por edhe të liderit të partisë më të madhe në opozitë, Sali Berishës.

Reklamë Ola

Po episodi ndodhi. Doli pikërisht ashtu siç dalin befas këto situata nga revolta e atyre njerëzve që nuk e durojnë dot hipokrizinë. Fushata e deputetëve të PD-së, që ka vijuar prej më shumë se 100 ditësh nga bulevardi dhe tani në protestën e përshkallëzuar në dhunë, është që të dalin si blogerë në protestë dhe të bëjnë video sikur janë vuajtësit ose bashkëvuajtësit e krizës sociale. Ndërkohë, askush prej tyre nuk u gjend para një grupi protestuesish dhe t’u dilte përpara kur thyenin bizneset, që të thoshte: “Që mos e kemi revoltën me institucionet”. Askush prej tyre nuk frenoi pasojat që sjell zemërimi i disa njerëzve të dëshpëruar nga arroganca dhe distancimi i madh social, dhe marrin ç’u del përpara.

Ja që Klevis Balliu u bë shembull dhe simbol i kësaj hipokrizie të marrë, që rrinë aty si Robert Çamçakëzi në port dhe dredhin zinxhirin duke bërë ndonjë video, e cila pastaj u kthehet si një karmë, duke kaluar Lanën me not.

Reklamë InterMedika

Lëre pastaj idiotësinë, me keqardhje personale, e një njeriu të mandatuar, i cili, sa kalon Lanën, shkon dhe bën sërish video dhe thotë: “Ma bëri këtë Vlora”.

Vlora, e mbytur për vete, paska menduar në këtë gjendje të mbysë Balliun.

Në vend që të ulte kokën, të fshihej dhe të jepte një mesazh që reflekton mbi hipokrizinë, del akoma.

Përjashtimi i Balliut nga protesta është përjashtimi i gjithë kastës që tradhtoi popullin opozitar, që e përdori atë si leckë për arritjen e synimeve individuale. Është një akt që kalon përtej çdo mesazhi të tanishëm; është kaq i natyrshëm, cinik, ironik, qesharak, por mbi të gjitha edhe politik.

Askush nuk mund të ngrihet mbi kurrizin e atyre që, sido që kanë dalë dhe veprojnë, nuk e durojnë dot reklamën e shëmtuar, ku si blogerë dalin nga protesta sikur po u hapet barku për ta.

Ndaj e ka merituar Lanën plotësisht.