Merz: Nuk do ta lëmë Ukrainën vetëm, Rusia po kërcënon demokracinë tonë

17 Oct 2026 • 19:02
Shpërndaje:

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka përsëritur angazhimin e Berlinit për të vazhduar mbështetjen ndaj Ukrainës, duke paralajmëruar se veprimet e Rusisë përbëjnë kërcënim jo vetëm për integritetin territorial ukrainas, por edhe për demokracinë dhe sigurinë europiane.

Gjatë një fjalimi në Berlin, në kongresin e organizatës rinore të Bashkimit Demokristian (CDU) dhe partisë simotër, Bashkimit Social-Kristian (CSU), Merz theksoi se Gjermania nuk do ta braktisë Ukrainën në përballjen me agresionin rus.

“Ne nuk duhet ta lëmë këtë vend dhe popullin e tij të përballen të vetëm me situatën. Dhe nuk do ta bëjmë këtë”, deklaroi kancelari.

Reklamë Ola

Gjermania është një nga mbështetëset kryesore ushtarake dhe financiare të Ukrainës që prej nisjes së pushtimit rus në shkurt të vitit 2022, duke furnizuar Kievin me sisteme të avancuara armatimi, municione dhe ndihma financiare, si dhe duke mbështetur sanksionet perëndimore ndaj Moskës.

Merz kritikon AfD-në dhe partinë E Majta

Reklamë InterMedika

Kancelari gjerman kritikoi gjithashtu dy forcat opozitare, Alternativën për Gjermaninë (AfD) dhe partinë E Majta, të cilat i akuzoi për minimizimin e kërcënimit që, sipas tij, paraqet Rusia.

“Ajo që po shohim aktualisht nga Rusia nuk është thjesht vënia në pikëpyetje e integritetit territorial të Ukrainës. Ajo që po shohim është minimi i përditshëm i demokracisë sonë, i vlerave tona dhe i mënyrës sonë të jetesës. Dhe ne po i kundërpërgjigjemi kësaj tani”, u shpreh Merz.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur autoritetet gjermane kanë ngritur shqetësime për rreziqet e sigurisë që lidhen me përshkallëzimin e tensioneve me Moskën.

Inteligjenca gjermane paralajmëron për rrezikun e konfliktit me Rusinë

Pak ditë më parë, presidenti i Shërbimit Federal të Inteligjencës së Gjermanisë (BND), Martin Jaeger, paralajmëroi për mundësinë që vendi të përfshihet në një konflikt të armatosur me Rusinë.

Gjatë raportimit përpara komisionit parlamentar për inteligjencën, Jaeger deklaroi se Moska e konsideron tashmë Berlinin një prej kundërshtarëve të saj kryesorë.

Sipas kreut të inteligjencës gjermane, përballja mes Rusisë dhe vendeve europiane ka hyrë në një fazë të re, të karakterizuar nga rreziqe më të mëdha për sigurinë.

Paralajmërimet e inteligjencës dhe deklaratat e kancelarit Merz pasqyrojnë shqetësimin në rritje të Berlinit për pasojat që lufta në Ukrainë mund të ketë mbi sigurinë e Gjermanisë dhe të Europës.