Agjencia turistike Visit Norway e ka kthyer një fyerje të presidentit amerikan Donald Trump në fushatë promovimi për tualetet publike me pamje panoramike të Norvegjisë.
Gjatë një tubimi në Michigan, Trump e quajti Norvegjinë një “vend haleje”, duke shprehur pakënaqësinë që nuk kishte fituar Çmimin Nobel për Paqen. Ai deklaroi gjithashtu se nuk dëshironte emigrantë nga vendi skandinav.
Visit Norway iu përgjigj me humor, duke prezantuar tualete me arkitekturë të veçantë, të vendosura mes fjordeve, maleve dhe peizazheve natyrore.
“Norvegjia i bën sërish madhështore haletë”, ishte slogani i fushatës, një parodi e thirrjes së njohur politike të Trumpit.
Në faqen e saj, agjencia i ftonte turistët t’i vizitonin këto ndalesa edhe kur nuk kishin nevojë t’i përdornin.
Sipas platformës së specializuar në turizëm Skift, faqja regjistroi mbi 80 mijë vizita nga më shumë se 170 vende brenda pesë ditësh, rreth 540 herë më shumë se javën e mëparshme. Shpenzimet për promovimin në rrjetet sociale ishin më pak se 10 mijë dollarë.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm norvegjez Espen Barth Eide sqaroi se qeveria nuk përcakton fituesin e Nobelit për Paqen, pasi vendimi merret nga një komitet i pavarur.


