Ambasadorët e Polonisë në Kinë dhe Rumani kanë njoftuar dorëheqjen, në kundërshtim me zhvillimet e fundit në Gjykatën Kushtetuese, që kanë përshkallëzuar përplasjen politike në Varshavë.
Ambasadori në Bukuresht, Pawel Soloch, e cilësoi situatën një përpjekje për marrjen e paligjshme të kontrollit të gjykatës dhe deklaroi se nuk mund të vijonte detyrën.
Pak orë më herët, dorëheqjen për arsye të ngjashme e kishte njoftuar edhe ambasadori në Pekin, Jakub Kumoch.
Sipas agjencisë polake PAP, të dy diplomatët kishin punuar më parë për ish-presidentin Andrzej Duda, i afërt me partinë konservatore nacionaliste Ligj dhe Drejtësi (PiS).
Tensionet u rritën pas publikimit në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese të njoftimit për pezullimin e përkohshëm të kryetarit Bogdan Swieczkowski dhe zëvendësit të tij.
Për drejtimin e përkohshëm të institucionit u caktua Anna Korwin-Piotrowska, një prej pesë gjyqtarëve të emëruar së fundmi nga parlamenti, por që nuk njihen nga presidenti Karol Nawrocki.
Qindra demonstrues u mblodhën të premten në mbrëmje përpara gjykatës për të kundërshtuar vendimin, ndërsa policia rrethoi ndërtesën.
Nawrocki ndërpreu vizitën në Senegal dhe u kthye në Varshavë. Pas mbërritjes, ai hyri në gjykatë; në pamjet e publikuara shihet duke përdorur forcë për të siguruar hyrjen.
Përplasja lidhet me përpjekjet e koalicionit të kryeministrit Donald Tusk për të zhbërë reformat e debatueshme në drejtësi të ndërmarra gjatë qeverisjes së PiS-së, nga viti 2015 deri më 2023.


