×
Wednesday, July 8, 2026

Trump: Do të ndërpresim tregtinë me Spanjën, është një partner i tmerrshëm në NATO

July 8, 2026


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se administrata e tij do të ndërpresë marrëdhëniet tregtare me Spanjën, duke e akuzuar Madridin se nuk po përmbush detyrimet e tij në kuadër të NATO-s.

Duke folur për gazetarët para takimit me liderët e aleancës në samitin e NATO-s në Ankara, Trump tha se nuk kishte zhvilluar bisedime me qeverinë spanjolle dhe e cilësoi vendin një “rast të humbur”.

“Nuk kam folur me Spanjën. Spanja është një rast i humbur. Nuk duam të bëjmë më asnjë biznes tregtar me Spanjën”, deklaroi Trump, duke iu drejtuar më pas sekretarit amerikan të Thesarit, Scott Bessent: “Meqë ra fjala, do të doja ta ndërprisnit.”

Përplasja mes Uashingtonit dhe Madridit lidhet me kundërshtimin e Spanjës ndaj objektivit të NATO-s për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035. Spanja ishte i vetmi vend aleat që nuk e mbështeti këtë objektiv në samitin e kaluar të NATO-s, duke shkaktuar pakënaqësi në administratën amerikane.

Trump ka kërcënuar vazhdimisht se do t’i përgjigjet këtij qëndrimi me masa tregtare, megjithëse zbatimi i një vendimi të tillë mbetet i paqartë, pasi Spanja është pjesë e Bashkimit Evropian dhe politika tregtare përcaktohet në nivel të BE-së.

Tensionet janë thelluar edhe pas kritikave të kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez ndaj vendimit të Trump për të ndërmarrë operacione ushtarake kundër Iranit, si dhe refuzimit të Madridit për të lejuar përdorimin e bazave ushtarake spanjolle nga forcat amerikane gjatë fushatës ushtarake.

“Spanja është një partner i tmerrshëm në NATO. Ata nuk marrin pjesë, nuk paguajnë. Nuk dua të kem asgjë me Spanjën. Ndërpriteni të gjithë tregtinë me Spanjën, përfshirë edhe vizitat. Le të shohim sa armiqësorë do të mbeten kur të na telefonojnë dhe të thonë: ‘Ju lutem, duam të tregtojmë me ju’”, u shpreh Trump.




Comments are closed.