“Të gjithë jemi të zëvendësueshëm, përveç rolit amerikan për Kosovën”
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të mërkurën se të gjithë udhëheqësit e Kosovës janë të zëvendësueshëm, por roli i Shteteve të Bashkuara për Kosovën, është i pazëvendësueshëm.
Ai i bëri këto komente në ditën kur priste t’i drejtohej parlamentit të Kosovës për të raportuar lidhur me takimin e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç të hënën në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti Thaçi, kërkoi që të mërkurën pasdite të mbahet një seancë e parlamentit, por kryetarja Vjosa Osmani në një përgjigje ndaj kërkesës së tij tha se duhet kohë për organizmin e seancës, meqë deputetët janë të angazhuar në veprimtari të përcaktuara më parë.
“Prandaj, kërkesa juaj për adresim Kuvendit, do të trajtohet që në mbledhjen e parë të Kryesisë e cila do të mbahet menjëherë pas 9 marsit. Meqenëse adresimi që keni kërkuar ta bëni para deputetëve nuk është trajtuar si çështje urgjente në letrën tuaj, do t’ju njoftojmë shumë shpejt për datën, në të cilën ju mund t’ adresoheni Kuvendit, në përputhje me nenin 84 (30) të Kushtetutës”, thuhet në letrën e zonjës Osmani.
Duke shprehur keqardhjen për mos organizimin e seancës, presidenti Thaçi paralajmëroi konferencë për gazetarë si dhe takime me udhëheqësit e partive politike për t’i informuar rreth takimit, të cilin ai e cilësoi “si moment të kthesës kritike dhe pozitive që nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara dhe të presidentit Donald Trump, dinamikës dhe mençurisë së ambasadorit Richard Grenell të arrihet marrëveshja në të ardhmen e afërt. Prandaj, këtë momentum dhe këtë mundësi nga Uashingtoni duhet ta shfrytëzojnë edhe Kosova edhe Serbia për arritjen e paqes si garanci për paqe në gjithë Ballkanin Perëndimor”.
Ai e vlerësoi lartë faktin që siç tha Shtetet e Bashkuara de presidenti Trump i kanë dhënë mbështetje dhe kanë caktuar ambasadorin Grenell që të merret me çështjen e mundësisë së arritjes së marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Nëse deri tani ka pasur dikush dilema për këtë proces mendoj se roli që kanë marr SHBA, takimi në Washington ka hequr çdo dilemë dhe çdo enigmë, ky proces është në duar të sigurta, është në drejtim të duhur, është me rol udhëheqës të SHBA-së. Ne të gjithë liderët e Kosovës jemi të zëvendësueshëm, roli i SHBA-së për Kosovën është i pazëvendësueshëm”, tha presidenti Thaçi.
Rreth takimit në Washington foli të mërkurën edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i cili u tha medieve në Beograd se nuk ka ndonjë marrëveshje me Kosovën.
“Ditëve të kaluara pati shumë lajme të rreme rreth asaj se po arrihet një marrëveshje e madhe, se si ka një plan tashmë etj. Nuk është biseduar për këtë dhe nuk ekziston një plan i tillë”, tha ai, duke përsëritur qëndrimin se pa heqjen e tërësishme të tarifave të Prishtinës ndaj mallrave serbe, nuk mund të ketë bisedime thelbësore.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka hedhur propozimin për heqjen e kushtëzuar të tarifave ndaj mallrave serbe, tha të martën se vullnetit të mirë të Kosovës, Serbia po i përgjigjet me intensifikim të fushatës kundër njohjeve të Kosovës.
Eunews.al