Kuvendi do të zhvillojë sot seancën plenare, ku janë parashikuar pesë interpelanca me ministra të qeverisë, shqyrtimi i gjashtë projektligjeve dhe votimi i disa ndryshimeve në përbërjen e komisioneve parlamentare.
Sipas rendit të ditës, seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së 8 shtatorit dhe me njoftimet përkatëse.
Katër interpelanca urgjente të kërkuara nga PD-ja
Në qendër të seancës do të jenë katër interpelanca urgjente të kërkuara nga deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Në interpelancë do të thirren ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, ministri i Punëve të Brendshme, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu.
Një tjetër interpelancë do të zhvillohet me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, me kërkesë të deputetit Blendi Himçi.
Marrëveshjet për Ukrainën dhe inteligjencën artificiale
Pas interpelancave, deputetët do të shqyrtojnë projektligjin për ratifikimin e Konventës për Themelimin e Komisionit Ndërkombëtar të Kërkesave për Ukrainën, të miratuar në Hagë më 16 dhjetor 2025.
Në rendin e ditës është edhe ratifikimi i Konventës kuadër të Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës.
Të dyja marrëveshjet do të diskutohen nga grupet parlamentare dhe më pas do të hidhen në votim.
Statusi i gjyqtarëve dhe prokurorëve në Kuvend
Një tjetër çështje e rëndësishme është projektligji për ndryshimet në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Nisma do të shqyrtohet nga Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, ndërsa mendim do të japin edhe Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat dhe ai për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik.
Projektligji vjen në një periudhë debatesh mes qeverisë dhe përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë për trajtimin financiar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Ulliri, disenjot dhe shoqëritë me ofertë publike
Kuvendi do të shqyrtojë gjithashtu projektligjin për pranimin e një vendimi të Këshillit Ndërkombëtar të Ullirit, i cili ndryshon Marrëveshjen Ndërkombëtare për Vajin e Ullirit dhe Ullinjtë e Tavolinës.
Në rendin e ditës janë edhe projektligji i ri “Për disenjot” dhe ndryshimet në ligjin për marrjen nën kontroll të shoqërive me ofertë publike. Nismat do të kalojnë në diskutim dhe më pas në votim.
Ndryshime në komisionet parlamentare
Në pjesën e fundit të seancës janë parashikuar tri projektvendime që ndryshojnë kryesitë, anëtarësinë dhe listën e anëtarëve zëvendësues të komisioneve të përhershme të Kuvendit.
Seanca do të mbyllet me diskutimet për çështje jashtë rendit të ditës. Çdo deputet do të ketë deri në pesë minuta në dispozicion, ndërsa përfaqësuesit që flasin në emër të grupeve parlamentare mund të përdorin deri në tetë minuta. Koha e përgjithshme për këtë pjesë nuk mund të kalojë 60 minuta.


