Rreth 200 kompani në Ballkanin Perëndimor kanë kapacitetin për të prodhuar municione sipas standardeve të NATO-s, deklaroi ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, gjatë Konferencës së Sigurisë në Sarajevë.
Soreca theksoi se synimi i BE-së është që vendet e Ballkanit Perëndimor të mos jenë vetëm përfituese të sigurisë, por të marrin një rol më aktiv në garantimin e saj, si brenda rajonit ashtu edhe më gjerë.
“Ne duam që partnerët e Ballkanit Perëndimor të kalojnë nga përfitues të sigurisë në kontribues të sigurisë, si për rajonin ashtu edhe më gjerë. Për këtë qëllim, Instrumenti Europian i Paqes ka akorduar gjithsej 98 milionë euro për Ballkanin Perëndimor, nga të cilat një e treta, 35 milionë euro, i është dhënë vetëm Bosnje dhe Hercegovinës”, deklaroi Soreca.
Sipas tij, ndër vendet e rajonit me kapacitetet më të mëdha për prodhimin e municioneve janë Bosnje dhe Hercegovina dhe Serbia.
Katër vende të Ballkanit Perëndimor, mes tyre edhe Shqipëria, kontribuojnë gjithashtu me trupa ose ekspertë në misionet dhe operacionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Bashkimit Europian.
Soreca e lidhi forcimin e sigurisë në rajon edhe me procesin e zgjerimit të BE-së, duke veçuar përparimin e Malit të Zi dhe Shqipërisë në negociatat për anëtarësim.
“Viti 2026 pritet të jetë një vit rekord për përparimin në këtë drejtim. Shohim se Mali i Zi ka mbyllur më shumë se gjysmën e kapitujve të negociatave dhe shtetet anëtare të BE-së kanë nisur përgatitjen e Traktatit të Anëtarësimit të tij. Shqipëria ka nisur zyrtarisht mbylljen e kapitujve dhe potencialisht mund t’i përfundojë negociatat deri në fund të vitit 2027”, u shpreh ambasadori.
Soreca mbështeti gjithashtu idenë e integrimit gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, duke e cilësuar atë si një “element kyç” për forcimin e sigurisë dhe mbrojtjes.
Sipas tij, afrimi i mëtejshëm i rajonit me BE-në, së bashku me rritjen e kontributit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në fushën e mbrojtjes, mund të luajë një rol të rëndësishëm në arkitekturën e ardhshme të sigurisë europiane.


