Gogu takime në Mal të Zi: Fokus te reforma në drejtësi dhe integrimi në BE

08 Nov 2026 • 18:53
Shpërndaje:

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka përmbyllur vizitën dyditore në Mal të Zi, ku mori pjesë në Forumin Ministror BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme, duke zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe zyrtarë të lartë të rajonit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gogu theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit në fushën e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit dhe përshpejtimit të procesit të integrimit evropian.

Gjatë forumit, ministri zhvilloi takime me Komisionerin Evropian për Demokracinë, Drejtësinë, Shtetin e së Drejtës dhe Mbrojtjen e Konsumatorit, Michael McGrath, si dhe me ministrin irlandez të Drejtësisë, Punëve të Brendshme dhe Migracionit, Jim O’Callaghan.

Reklamë Ola

Agjenda e vizitës përfshiu gjithashtu takime me ministrin e Drejtësisë të Malit të Zi, Bojan Božović, ministrin e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka, ministrin e Administratës Publike, Marash Dukaj, si dhe ish-kryeministrin malazez Dritan Abazović.

Lufta kundër korrupsionit dhe pavarësia e drejtësisë, në qendër të diskutimeve

Reklamë InterMedika

Sipas ministrit Gogu, diskutimet u përqendruan te reformat strukturore, forcimi i institucioneve të drejtësisë, mbrojtja e të drejtave themelore dhe përmirësimi i aksesit të qytetarëve në drejtësi.

“Nga lufta kundër korrupsionit dhe pavarësia e institucioneve të drejtësisë, te mbrojtja e të drejtave themelore, aksesi në drejtësi dhe bashkëpunimi rajonal, këto takime na bashkojnë rreth përgjegjësisë për t’i kthyer reformat në rezultate konkrete për qytetarët”, u shpreh Gogu.

Ministri nënvizoi se bashkëpunimi me institucionet evropiane dhe vendet e Ballkanit Perëndimor mbetet i rëndësishëm për avancimin e reformave dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në përfundim të vizitës, Gogu ritheksoi angazhimin për vijimin e reformave dhe forcimin e partneriteteve ndërkombëtare.

“Rruga jonë evropiane kërkon punë, besim dhe partneritete të forta”, përfundoi ministri i Drejtësisë.