Shqipëria synon të ruajë ritmin e negociatave me Bashkimin Europian dhe të përmbyllë procesin negociues deri në fund të vitit 2027, ndërsa Tirana pret hapa të tjerë pas mbylljes së përkohshme të tre kapitujve të parë në korrik.
Zëvendësministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, deklaroi për Vizion Plus se rezultati i arritur gjatë verës nuk pritet të mbetet një zhvillim i izoluar dhe se puna po vazhdon sipas planit të dakordësuar me Komisionin Europian.
“Padyshim që mbyllja e tre kapitujve në korrik të këtij viti nuk ishte një rast i vetëm. Sigurisht që ne presim që do të ketë edhe raste të tjera, me këtë ritëm dhe në kuadër të këtij plani pune që kemi dakordësuar me Komisionin Europian”, tha Fino.
Shqipëria ka hapur tashmë të 33 kapitujt e negociatave, ndërsa më 14 korrik u mbyllën përkohësisht tre të parët: “Shkenca dhe Kërkimi”, “Arsimi dhe Kultura” dhe “Marrëdhëniet me Jashtë”.
Fino tha se objektivi kryesor është ruajtja e ritmit aktual të reformave, në mënyrë që negociatat të mund të mbyllen deri në fund të vitit 2027.
“Kemi parë që në më pak se dy vjet janë hapur të gjithë grupkapitujt, janë mbyllur tre kapituj dhe tanimë kemi bërë progres edhe me piketat e ndërmjetme. Puna vazhdon, është e përditshme”, deklaroi ajo.
Sipas zëvendësministres, procesi nuk i përket vetëm Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, por kërkon angazhimin e të gjithë qeverisë dhe administratës publike.
Por përpara mbylljes së negociatave mbeten disa fusha veçanërisht sfiduese.
Fino veçoi grupkapitullin “Themeloret”, ku përfshihen kapitujt 23 dhe 24 për gjyqësorin, të drejtat themelore, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë. Ky grupkapitull ka një peshë të veçantë, pasi hapet i pari, mbyllet i fundit dhe progresi në të përcakton ritmin e përgjithshëm të negociatave.
Ndër sektorët e tjerë që kërkojnë punë dhe kapacitete të konsiderueshme, Fino renditi bujqësinë dhe zhvillimin rural, sigurinë ushqimore dhe mjedisin.
“Janë tema dhe sektorë të rëndësishëm, të cilët kërkojnë kapacitete të shumta në nivel qendror, por edhe vendor”, u shpreh ajo.
Objektivi i vitit 2027 lidhet me mbylljen e negociatave të anëtarësimit dhe jo automatikisht me hyrjen e Shqipërisë në BE. Pas përfundimit të negociatave, anëtarësimi kërkon përfundimin e procedurave të tjera të përcaktuara nga procesi i zgjerimit.


