Irani i ofron SHBA-së planin 7-ditor: Hapim Hormuzin dhe rikthehemi në negociatat bërthamore

26 Sep 2026 • 13:21
Shpërndaje:

Irani i ka paraqitur Shteteve të Bashkuara një plan shtatëditor që parashikon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe rikthimin në negociatat për programin bërthamor, në këmbim të një sërë lëshimesh nga Uashingtoni.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, bëri të ditur propozimin gjatë qëndrimit në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke deklaruar se ai i është përcjellë administratës amerikane përmes Katarit.

Sipas planit, Irani është i gatshëm të rikthejë lundrimin normal në Hormuz brenda shtatë ditësh, nëse SHBA pranon kushtet e Teheranit.

Reklamë Ola

“Afati shtatëditor do të fillojë sapo Shtetet e Bashkuara ta pranojnë këtë plan”, deklaroi Araghchi.

Në këmbim, Teherani kërkon heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane, lehtësimin e sanksioneve ndaj shitjeve të naftës dhe respektimin e një armëpushimi që do të përfshinte edhe Libanin.

Reklamë InterMedika

Plani parashikon gjithashtu rifillimin e negociatave mes Iranit dhe SHBA-së për programin bërthamor iranian.

Megjithatë, nga Uashingtoni nuk ka ende një përgjigje zyrtare publike. “Wall Street Journal”, duke cituar zyrtarë amerikanë, raportoi se Presidenti Donald Trump e ka refuzuar privatisht propozimin dhe u ka thënë bashkëpunëtorëve se pret një rikthim të mundshëm të operacioneve ushtarake kundër Iranit pas zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor.

Teherani, nga ana tjetër, deklaron se është ende në pritje të një përgjigjeje zyrtare amerikane.

Propozimi iranian vjen në një moment kur Ngushtica e Hormuzit është shndërruar në një nga pikat kryesore të krizës në Lindjen e Mesme. Përmes këtij korridori kalon një pjesë e konsiderueshme e naftës dhe gazit të tregtuar ndërkombëtarisht, duke bërë që çdo ndërprerje e lundrimit të ketë pasoja të drejtpërdrejta në tregjet globale të energjisë.

Araghchi tha se tashmë vendimi i takon Uashingtonit, ndërsa Irani e paraqet propozimin si një rrugë për uljen e tensioneve, rihapjen e Hormuzit dhe rikthimin e diplomacisë bërthamore.