Eric Wendt nis një kapitull të ri në historinë e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke marrë zyrtarisht detyrën si ambasador amerikan në Tiranë pas një periudhe prej gati tre vitesh pa një ambasador të konfirmuar nga Senati.
Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së u rivendosën më 15 mars 1991, pas një ndërprerjeje prej dekadash. Ambasada amerikane në Tiranë u rihap më 1 tetor të të njëjtit vit, me diplomatin Christopher Hill si të Ngarkuar me Punë ad interim.
William E. Ryerson u bë ambasadori i parë amerikan në Shqipëri pas rikthimit të marrëdhënieve diplomatike. Ai u emërua në dhjetor 1991 dhe paraqiti letrat kredenciale më 21 dhjetor të atij viti.
Që prej atëherë, në krye të misionit diplomatik amerikan në Tiranë kanë shërbyer dhjetë ambasadorë të konfirmuar përpara mbërritjes së Eric Wendt.
Lista e ambasadorëve amerikanë pas vitit 1991:
William E. Ryerson – 1991
Joseph E. Lake – 1994
Marisa R. Lino – 1996
Joseph Limprecht – 1999
James F. Jeffrey – 2002
Marcie B. Ries – 2004
John L. Withers II – 2007
Alexander A. Arvizu – 2010
Donald Lu – 2015
Yuri Kim – 2020
Eric Wendt – 2026
Yuri Kim, e cila mori detyrën në vitin 2020, ishte ambasadorja e fundit e konfirmuar nga Senati përpara Wendt dhe e përfundoi misionin e saj në Shqipëri në vitin 2023.
Pas largimit të saj, Ambasada amerikane vijoi punën nën drejtimin e të Ngarkuarve me Punë, deri në ardhjen e ambasadorit të ri.
Këtë të shtunë, Eric Wendt paraqiti letrat kredenciale te Presidenti Bajram Begaj, duke nisur zyrtarisht detyrën si përfaqësuesi më i lartë diplomatik i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.
Me Wendt, lista e ambasadorëve amerikanë të emëruar në Tiranë pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 1991 shkon në 11 emra.


