Shqipëria ndër ekonomitë me rritjen më të lartë në rajon, Malaj: Po ngushtojmë distancën me Europën

18 Aug 2026 12:43
Shpërndaje:

Ekonomia shqiptare ka regjistruar një rritje prej 3.71% në tremujorin e parë të vitit 2026, duke u pozicionuar ndër ekonomitë me ritmin më të lartë të rritjes në Ballkanin Perëndimor.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se Shqipëria, së bashku me Kosovën, po kryeson ritmet e rritjes ekonomike në rajon, ndërsa performanca e vendit qëndron ndjeshëm mbi mesataren e Bashkimit Europian.

“Shqipëria dhe Kosova po udhëheqin ritmin e rritjes në rajon, ndërsa Shqipëria po ngushton me shpejtësi distancën me Europën”, deklaroi Malaj.

Reklamë Ola

Sipas të dhënave të referuara nga ministri, ekonomia shqiptare u rrit me 3.71%, krahasuar me 3.69% në Malin e Zi, 3.20% në Serbi, 3.1% në Maqedoninë e Veriut dhe 1.9% në Bosnjë-Hercegovinë.

Mesatarja e rritjes ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor për të njëjtën periudhë rezulton në 3.30%, ndërsa ajo e Bashkimit Europian në vetëm 0.7%.

Reklamë InterMedika

Kjo e vendos Shqipërinë 0.41 pikë përqindjeje mbi mesataren e rajonit dhe 3.01 pikë përqindjeje mbi mesataren e BE-së.

Sipas Malajt, performanca lidhet me vijimin e politikave ekonomike që kanë mbështetur investimet, aktivitetin e biznesit, punësimin dhe konsumin.

Një rol të rëndësishëm në aktivitetin ekonomik vijojnë të kenë edhe sektorët prioritarë, veçanërisht turizmi, i cili gjatë viteve të fundit është kthyer në një prej kontribuuesve të rëndësishëm në ekonominë shqiptare.

Ministri i Financave shprehu optimizëm edhe për pjesën tjetër të vitit, duke deklaruar se pritshmëritë janë për një përshpejtim të mëtejshëm të aktivitetit ekonomik, të mbështetur nga investimet, konsumi dhe performanca e turizmit.

Rritja prej 3.71% në tre muajt e parë të vitit sinjalizon kështu një nisje pozitive të vitit 2026 për ekonominë shqiptare dhe, sipas qeverisë, një vazhdim të procesit të afrimit të vendit me ekonomitë europiane.