Shqipëria modernizon pullat fiskale, produktet e akcizës do të gjurmohen në kohë reale

21 Aug 2026 11:21
Shpërndaje:

Shqipëria po kalon drejt një sistemi të ri digjital për gjurmimin, monitorimin dhe verifikimin e produkteve që i nënshtrohen akcizës, me synimin për të rritur sigurinë, transparencën dhe kontrollin në treg.

Sipas një njoftimi të Doganave Shqiptare, modernizimi i sistemit të pullave fiskale do të bëjë të mundur ndjekjen elektronike të produkteve përgjatë zinxhirit të qarkullimit, nga prodhimi apo importi deri në daljen e tyre në treg.

Në qendër të sistemit të ri është pajisja e çdo pulle fiskale me një identifikues unik digjital. Përmes tij, autoritetet do të kenë mundësi të gjurmojnë produktin dhe lëvizjen e tij në mënyrë elektronike, duke mundësuar edhe monitorimin në kohë reale të mallrave.

Reklamë Ola

Sipas Doganave, sistemi synon të sjellë tri përfitime kryesore: më shumë siguri për qytetarët, më shumë transparencë për tregun dhe më shumë kontroll për shtetin.

Teknologjia e re pritet të forcojë gjithashtu luftën kundër kontrabandës, falsifikimit dhe tregtimit të produkteve të akcizës jashtë kanaleve të ligjshme, pasi çdo produkt do të mund të identifikohet individualisht përmes pullës së tij fiskale.

Reklamë InterMedika

Një risi e rëndësishme parashikohet edhe për vetë konsumatorët. Përmes një aplikacioni, qytetarët do të mund të verifikojnë pullën fiskale dhe të kontrollojnë nëse produkti që kanë përpara është autentik.

Në këtë mënyrë, pulla fiskale nuk do të shërbejë vetëm si dëshmi e përmbushjes së detyrimeve fiskale, por edhe si një instrument digjital për gjurmueshmërinë dhe kontrollin e produkteve subjekt akcize në tregun shqiptar.