×
Tuesday, March 21, 2023

Shqipëria, marrëveshje me FAO-n për rikuperimin e dëmeve të tërmetit në bujqësi

January 28, 2021




Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi dhe drejtori rajonal i FAO-s, Raimund Jehle, nënshkruan sot, gjatë një ceremonie online, marrëveshjen për projektit “Mbështetje për rimëkëmbjen pas tërmetit në bujqësi, përmes Fondit të Përshpejtimit të Objektivave të Qëndrueshme”, me vlerë 580 mijë USD.

Në ceremoninë e nënshkrimit merrte pjesë dhe drejtori i FAO në Shqipëri, Arben Kipi.

Gjatë fjalës së saj ministrja Ekonomi falenderoi Kombet e Bashkuara (OKB) si dhe zyrën e FAO për kontributin e saj  në vlerësimin e shpejtë të nevojave në bujqësi pas tërmetit të 26 nëntorit. Gjithashtu falenderoi mbështetjen e  Hollandës dhe Mbretërisë së Bashkuar për fondet e akorduara për këtë projekt.

“Në vijim të bashkëpunimit të vazhdueshëm mes dy institucioneve tona gjate vitit 2019-2020, FAO ka dhënë kontributin e saj për hartimin e një projekti specifik në lidhje me mbështetjen e fermerëve të prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019, një situatë e vështirë me pasoja socio-ekonomike për fermerët”, tha ministrja Ekonomi.

Ndër të tjera Ekonomi theksoi se MBZHR ka krijuar mekanizma mbështetëse për përfitimet dhe vlerat që sjell puna e fermerëve, me qëllim zhvillimin e zonave rurale dhe forcimin ekonomik të tyre në mënyrë të qëndrueshme.

“Duhet theksuar se mbështetja për rimëkëmbjen nga tërmeti konsiderohet si domosdoshmëri për zhvillimin e qëndrueshëm rural, përmirësim të jetesës së komuniteteve në bujqësi të prekura nga tërmeti. Zbatimi i projektit është fazë e rëndësishme, që konsiston në tërësinë e aktiviteteve që duhen marrë për të zbatuar planin, dhe në fund të fundit për të arritur rezultatet e vendosura”, u shpreh ajo.

Drejtori rajonal i FAO, Raimund Jehle ka falenderuar ministrinë e Bujqësisë për frymën e bashkëpunimit ndër vite. Përfaqësuesi i FAO tha se do të vijohet të punohet ngushtësisht me MBZHR për zbatimin e këtij projekti të rëndësishëm në ndihmë të fermerëve.

Marrëveshja e sotme me vlerë 578,847 USD synon të forcojë kapacitetet e fermerëve për të përballuar fatkeqësi të tjera natyrore.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments