Shërbimet gjermane të inteligjencës kanë konstatuar një rritje të përhapjes së informacioneve të rreme për kancelarin gjerman Friedrich Merz, që dyshohet se janë të lidhura me Rusinë, raportoi sot gazeta gjermane “Handelsblatt”.
Sipas gazetës, Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV), shërbimi gjerman që merret me sigurinë e brendshme dhe zbulimin e kërcënimeve ndaj rendit kushtetues, ka deklaruar se: “Që nga fundi i qershorit 2026, frekuenca e këtyre aktiviteteve është rritur më tej”.
Sipas BfV-së, fushatat e dezinformimit shpërndahen kryesisht përmes rrjetit social X dhe platformave të tjera sociale.
Në disa raste përdoren video të manipuluara ose të fabrikuara, të cilat krijohen në mënyrë që të duken sikur janë publikuar nga media të njohura.
Qëllimi është që njerëzit t’i besojnë informacionit të rremë, duke menduar se ai vjen nga një burim i besueshëm.
Sipas inteligjencës gjermane, ndër grupet që lidhen me përhapjen e informacioneve të rreme për Merz, janë fushata e quajtur “Matrjoschka” dhe grupi “Storm-1516”.
Qeveria gjermane e lidhi zyrtarisht “Storm-1516” me Rusinë në dhjetor 2025.
Ky grup ishte konstatuar edhe më herët, duke përhapur informacione të rreme gjatë zgjedhjeve parlamentare gjermane të shkurtit 2025.
Sipas BfV-së, qëllimi kryesor i këtyre fushatave, është të rrisin tensionet dhe përçarjet në shoqëri, të dobësojnë besimin e qytetarëve te proceset demokratike dhe të ndikojnë në mënyrën se si njerëzit, krijojnë opinionet dhe marrin vendime politike.


