×
Wednesday, June 24, 2026

Rama: Kampusi i ri i UAMD do të ofrojë strehim më të përballueshëm për studentët

June 23, 2026


Kryeministri Edi Rama mori pjesë në prezantimin e pesë ekipeve finaliste të Konkursit Ndërkombëtar për Kampusin e Ri Universitar “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ku theksoi rëndësinë e projektit për zhvillimin e arsimit të lartë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së studentëve.

Gjatë fjalës së tij, Rama e cilësoi konkursin si pjesë të një serie projektesh ndërkombëtare që, sipas tij, po transformojnë jo vetëm hapësirat urbane, por edhe mënyrën se si konceptohet e ardhmja e komuniteteve dhe institucioneve në Shqipëri.

Kryeministri u ndal te rëndësia e bashkëpunimit me arkitektë dhe studio prestigjioze ndërkombëtare, duke e quajtur Shqipërinë “universitetin më të madh të hapur të zhvillimit urban në Europë”, ku profesionistët e rinj shqiptarë kanë mundësi të mësojnë dhe të punojnë përkrah emrave më të njohur të arkitekturës botërore.

“Jam i bindur se nuk do të kalojnë shumë vite dhe në mesin e arkitektëve më të admiruar në botë do të ketë edhe vajza e djem shqiptarë që sot janë pjesë e këtij procesi. Do t’i kemi edhe ne yjet tanë në qiellin e arkitekturës ndërkombëtare”, u shpreh Rama.

Duke folur për projektin e kampusit të ri universitar në Durrës, ai tha se investimi synon të krijojë një qendër moderne akademike dhe sociale, e cila do të jetë funksionale gjatë gjithë kohës dhe do të përmbyllë një proces transformimi të nisur vite më parë.

Sipas Ramës, projekti lidhet drejtpërdrejt edhe me kërkesat e ngritura nga studentët gjatë protestave të vitit 2018, të cilat çuan në investime të reja në konvikte, laboratorë, universitete dhe mbështetje më të madhe për arsimin e lartë.

Ai theksoi se një nga elementët kryesorë të kampusit të ri do të jetë krijimi i një zone rezidenciale për studentët, me qëllim uljen e kostove të strehimit dhe përmirësimin e jetës universitare.

“Jo të gjithë studentët qëndrojnë në konvikte. Shumë prej tyre marrin banesa me qira në qytet dhe kjo rëndon buxhetin e familjeve të tyre. Krijimi i një zone rezidenciale do t’u japë mundësi të kenë një strehim më të arsyeshëm dhe njëkohësisht të zhvillojnë jetën sociale dhe akademike në të njëjtin mjedis”, deklaroi Rama.

Kryeministri u ndal gjithashtu te projektet e tjera që po zhvillohen në sektorin e arsimit të lartë, duke përmendur Universitetin e Tiranës dhe Kolegjin e Europës, ku sipas tij po ndërtohen hapësira të reja që do të përmirësojnë infrastrukturën universitare në vend.

Në fund të fjalës së tij, Rama vlerësoi edhe kontributin e studentëve të Universitetit ETH në Zyrih, të cilët kanë bashkëpunuar në procesin e konkursit dhe kanë propozuar dy risi të rëndësishme.

Njëra prej tyre është krijimi i një jurie studentore të pavarur, ndërsa risia e dytë parashikon që secili prej ekipeve finaliste të realizojë pa pagesë një ose dy projekte në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit.

Sipas kryeministrit, qëllimi i konkursit nuk është vetëm përzgjedhja e projektit fitues, por krijimi i një procesi më të gjerë bashkëpunimi që sjell përfitime konkrete për komunitetin dhe zhvillimin urban të qytetit.

“Ne nuk e shohim këtë konkurs vetëm si zgjedhjen e një fituesi, por si pikënisjen e shumë zhvillimeve të tjera që do të pasojnë”, përfundoi Rama.




Comments are closed.