Shqipëria dhe Zvicra forcojnë bashkëpunimin për pronësinë intelektuale dhe inovacionin

27 Nov 2026 • 21:52
Shpërndaje:

Shqipëria dhe Zvicra nisën sot fazën e dytë të bashkëpunimit për forcimin e sistemit të pronësisë intelektuale, mbështetjen e inovacionit, rritjen e konkurrueshmërisë ekonomike dhe avancimin e procesit të integrimit evropian të vendit.

Në aktivitetin e zhvilluar në Tiranë morën pjesë përfaqësues të qeverisë shqiptare, Ambasadës së Zvicrës, bizneseve, startup-eve dhe ekspertë të pronësisë intelektuale.

Programi katërvjeçar “SwissPartnershIP Albania” financohet nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe zbatohet nga Instituti Federal Zviceran i Pronësisë Intelektuale (IPI).

Reklamë Ola

Faza e re mbështetet në rezultatet e Projektit Shqiptaro-Zviceran për Pronësinë Intelektuale (ALSIP), i cili kontribuoi në forcimin e kuadrit ligjor, zhvillimin e kapaciteteve institucionale dhe rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale. Këto arritje janë evidentuar edhe në raportin e fundit të progresit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë.

Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Siri Walt, theksoi rëndësinë e pronësisë intelektuale për zhvillimin ekonomik dhe nxitjen e inovacionit.

Reklamë InterMedika

“Pronësia intelektuale ka të bëjë me idetë, kreativitetin dhe shndërrimin e talentit në mundësi. Ajo siguron që njerëzit që krijojnë vlerë të mund të përfitojnë nga vlera që krijojnë. Përvoja e vetë Zvicrës tregon se forca e ekonomisë është e lidhur ngushtë me inovacionin”, deklaroi ambasadorja.

Programi do të përqendrohet në pesë fusha kryesore: forcimin e kuadrit ligjor dhe politik, përmirësimin e administrimit të pronësisë intelektuale, promovimin e të drejtave të saj, forcimin e mekanizmave të zbatimit, si dhe mbështetjen e inovacionit dhe komercializimit.

Një element i rëndësishëm i bashkëpunimit është partneriteti ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale dhe Institutit Federal Zviceran të Pronësisë Intelektuale, që synon transferimin e ekspertizës dhe praktikave më të mira zvicerane.

Ndër prioritetet e projektit është edhe zhvillimi i një kuadri të ardhshëm “Made in Albania”, i frymëzuar nga modeli ndërkombëtarisht i njohur “Swiss Made”, me synim forcimin e identitetit, standardeve të cilësisë dhe konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare në tregjet vendase dhe ndërkombëtare.

Programi do të kontribuojë gjithashtu në përafrimin e Shqipërisë me standardet e Bashkimit Evropian në fushën e pronësisë intelektuale, duke vijuar mbështetjen për reformat në të drejtën e autorit, dizajnin industrial dhe treguesit gjeografikë.