Ka shkuar në 19 numri i personave të lënduar gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë, të cilët janë paraqitur në spitale për të marrë ndihmë mjekësore.
Sipas bilancit të përditësuar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, deri në orën 15:15, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 17 persona të lënduar, mes tyre pesë efektivë policie, katër përfaqësues të medias, njëra prej të cilëve shtetase e huaj, dhe tetë protestues.
Ministria bën me dije se të gjithë personat e paraqitur në Spitalin e Traumës ndodhen në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
Bilanci i përditësuar vjen pas përshkallëzimit të tensioneve dhe përplasjeve ndërmjet protestuesve dhe forcave të policisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Kryeministrisë.


