Nufi uron Forcat e Armatosura për 28 Nëntorin: Krenarinë për flamurin e keni kthyer në detyrë

28 Nov 2026 • 16:53
Shpërndaje:

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka përcjellë një mesazh urimi me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, drejtuar efektivëve të Forcave të Armatosura, misioneve ushtarake shqiptare jashtë vendit dhe atasheve ushtarakë shqiptarë në botë.

Në mesazhin e tij, ministri vlerësoi përkushtimin, sakrificën dhe kontributin e ushtarakëve në shërbim të atdheut, duke theksuar rëndësinë e veçantë që Dita e Flamurit ka për të gjithë ata që janë betuar përpara tij.

“Ju keni marrë përsipër nderin, por edhe barrën e madhe të mbajtjes së këtij flamuri, jo vetëm mbi uniformën tuaj, por edhe në ndërgjegjen tuaj, në çdo ditë të shërbimit ndaj atdheut”, u shpreh Nufi.

Reklamë Ola

Ministri i Mbrojtjes nënvizoi se trimëria, besnikëria dhe dashuria për lirinë kanë qenë ndër virtytet më të spikatura të shqiptarëve përgjatë historisë, duke i cilësuar efektivët e Forcave të Armatosura si vazhdues të kësaj trashëgimie.

Nufi shprehu mirënjohjen dhe respektin për të gjithë ushtarakët që shërbejnë brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

Reklamë InterMedika

“Në një ditë kur të gjithë shqiptarët krenohen me flamurin kombëtar, ju meritoni një nderim të veçantë, sepse keni zgjedhur që krenarinë për të ta ktheni në detyrë, dashurinë për Atdheun në shërbim dhe besnikërinë ndaj Shqipërisë në një betim që ju shoqëron gjatë gjithë jetës”, theksoi ministri.

Në përfundim të mesazhit, Nufi uroi festën e Flamurit për të gjithë efektivët e Forcave të Armatosura dhe familjet e tyre, duke shprehur vlerësimin për kontributin e tyre në shërbim të vendit.