Shqipëria dhe Kosova nënshkruajnë marrëveshje për forcimin e bashkëpunimit në inspektime

07 Nov 2026 • 15:24
Shpërndaje:

Inspektorati i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë dhe Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, me synim forcimin e kapaciteteve institucionale dhe modernizimin e sistemeve të inspektimit në të dy vendet.

Marrëveshja u nënshkrua nga Dashnor Sula dhe Lyra Osmani Ahmeti, duke vendosur një kuadër të ri bashkëpunimi për shkëmbimin e ekspertizës, përvojave profesionale dhe praktikave më të mira në fushën e inspektimeve.

Në fokus të marrëveshjes është harmonizimi i metodologjive dhe praktikave të inspektimit, me qëllim përmirësimin e standardeve dhe rritjen e efikasitetit të institucioneve përgjegjëse.

Reklamë Ola

Një tjetër drejtim i rëndësishëm është digjitalizimi dhe modernizimi i proceseve inspektuese, përmes shkëmbimit të përvojave dhe zhvillimit të zgjidhjeve që lehtësojnë punën e strukturave inspektuese.

Marrëveshja parashikon gjithashtu shkëmbimin e ekspertëve mes dy institucioneve, organizimin e trajnimeve të përbashkëta dhe zhvillimin e vazhdueshëm profesional të punonjësve.

Reklamë InterMedika

Bashkëpunimi do të shtrihet edhe në realizimin e projekteve dhe iniciativave të përbashkëta, që synojnë përmirësimin e funksionimit të sistemeve të inspektimit në Shqipëri dhe Kosovë.

Sipas përfaqësuesve të dy institucioneve, nënshkrimi i marrëveshjes përbën një hap drejt forcimit të standardeve, rritjes së efikasitetit institucional dhe zhvillimit të sistemeve moderne të inspektimit.

Përmes këtij angazhimi, Shqipëria dhe Kosova synojnë të thellojnë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe të avancojnë praktikat profesionale në fushën e mbikëqyrjes dhe kontrollit.