×
Thursday, July 23, 2026

Shqipëria dhe Italia nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për transformimin e shërbimit onkologjik

July 23, 2026


Shqipëria dhe Italia kanë hedhur një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë, me nënshkrimin e një marrëveshjeje mes Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT) dhe Institutit Kombëtar të Tumoreve në Milano.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi marrëveshjen si një moment kyç në transformimin e shërbimit onkologjik shqiptar.

Sipas Ramës, partneriteti strategjik afatgjatë synon të sjellë në Shqipëri modelet më të avancuara evropiane të kujdesit onkologjik, duke forcuar kapacitetet e QSUNT përmes studimeve klinike, teknologjive inovative, inteligjencës artificiale, standardeve të unifikuara të trajtimit dhe ekspertizës shkencore.

“Marrëveshja do të garantojë për pacientët shqiptarë shërbime më cilësore dhe akses më të hershëm në terapitë moderne”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Nënshkrimi i marrëveshjes u zhvillua në Milano dhe përfaqëson një tjetër hap në bashkëpunimin mes institucioneve shëndetësore të Shqipërisë dhe Italisë, me synimin për modernizimin e trajtimit të sëmundjeve onkologjike dhe rritjen e standardeve të kujdesit për pacientët.




Comments are closed.