×
Friday, July 24, 2026

Rama paralajmëron mesazhe nga mbledhja e PS-së: Do të flas për “pasqyrën e bulevardit të flamingove”

July 23, 2026


Kryeministri Edi Rama ka publikuar një videomesazh në rrjetet sociale, teksa përgatitej për mbledhjen e përbashkët të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe qeverisë, e cila do të zhvillohet të premten, duke nisur në orën 09:30.

Në postimin e tij, Rama shfaqet duke punuar mbi fjalimin që do të mbajë në mbledhje, ndërsa tregon se një nga temat ku do të ndalet do të jetë ajo që e quajti “pasqyra e bulevardit të flamingove”.

Kryeministri shoqëroi videon edhe me një koment ironik ndaj një pjese të protestuesve.

“Përshëndetje. Nuk e di a e dëgjoni, kjo është kënga ime e preferuar. Jam duke shkruar fjalën për nesër në mbledhjen e Grupit Parlamentar dhe të qeverisë. Desha të ndaj me ju këtë moment sepse ky kor më ekzalton. Shihemi nesër paradite, mbledhja fillon në 09:30. Do të ishte kënaqësi të ndaja me ju të gjithë reflektimin tim mbi pasqyrën e bulevardit të flamingove. Ai që ishte, se ky që ka mbetur është i sorrave dhe korbave”, u shpreh Rama.

Mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar pritet të nisë në orën 09:30, ndërsa kryeministri ka paralajmëruar se gjatë fjalës së tij do të trajtojë edhe zhvillimet e fundit politike.




Comments are closed.