Gjoba rekord e BE-së ndaj Google rrezikon të përshkallëzojë tensionet tregtare me SHBA-në
July 23, 2026
Vendimi i Bashkimit Evropian për të gjobitur Google me 890 milionë euro për shkelje të Aktit të Tregjeve Dixhitale (Digital Markets Act) ka rritur shqetësimet për një përshkallëzim të tensioneve tregtare me Shtetet e Bashkuara, në një moment kur administrata e presidentit Donald Trump po përgatit një raund të ri tarifash.
Sipas POLITICO, zyrtarët evropianë druhen se gjoba mund të nxisë një reagim nga Trump, i cili më herët ka kritikuar vazhdimisht masat e Brukselit ndaj kompanive amerikane të teknologjisë.
Komisioni Evropian vendosi një gjobë prej 460 milionë eurosh ndaj Google për favorizimin e shërbimeve të veta në motorin e kërkimit dhe 430 milionë euro të tjera për mënyrën se si sistemi Play Store instalohet në telefonat inteligjentë.
Brukseli këmbëngul se vendimi nuk lidhet me politikën tregtare, por është rezultat i zbatimit të ligjit evropian për konkurrencën dixhitale. Zyrtarët theksojnë gjithashtu se gjoba përfaqëson vetëm rreth 0.22% të xhiros globale vjetore të Alphabet, kompanisë mëmë të Google.
“Ne do të preferonim marrëdhënie shumë miqësore me të gjithë partnerët tanë, por nuk do të heqim dorë nga zbatimi i ligjit vetëm sepse një partner nuk e pëlqen atë”, deklaroi nënkryetarja ekzekutive e Komisionit Evropian për konkurrencën, Teresa Ribera.
Megjithatë, në Uashington reagimet kanë qenë kritike. Përfaqësuesi amerikan për tregtinë, Jamieson Greer, deklaroi se veprimet e fundit të Bashkimit Evropian rrezikojnë stabilitetin e marrëdhënieve tregtare transatlantike.
Ndërsa ambasadori amerikan në BE, Andrew Puzder, e cilësoi gjobën ndaj Google si “shembullin më të fundit të përdorimit të rregulloreve nga Brukseli kundër inovacionit amerikan”.
Edhe një grup ligjvënësish republikanë i kanë kërkuar presidentit Trump të vazhdojë presionin ndaj Bashkimit Evropian dhe të reagojë ndaj politikave që, sipas tyre, diskriminojnë kompanitë amerikane të teknologjisë.
Ndërkohë, administrata amerikane po shqyrton vendosjen e tarifave të reja ndaj produkteve evropiane, pasi skadon të premten tarifa e përkohshme prej 10% mbi importet. Sipas raportimit, Uashingtoni po analizon masa të reja që lidhen me importet e produkteve të prodhuara me punë të detyruar, mbikapacitetin industrial në Evropë dhe politikat evropiane për çmimet e barnave.
Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit për Tregtinë në Parlamentin Evropian, Bernd Lange, përshëndeti vendimin e Komisionit Evropian për të vijuar me gjobën ndaj Google, pavarësisht rrezikut të hakmarrjes tregtare nga SHBA.
“Komisioni tregoi vendosmëri pavarësisht pasigurisë për tarifat amerikane, por kjo nuk duhet të përdoret si pretekst për masa hakmarrëse nga Shtetet e Bashkuara”, u shpreh ai.
Sipas POLITICO, Brukseli shprehet publikisht optimist se SHBA do të respektojë marrëveshjet tregtare të arritura mes dy palëve, megjithëse zyrtarët evropianë pranojnë se administrata Trump mund të shpallë një valë të re tarifash në çdo moment. Në këtë rast, ambasadorët e vendeve anëtare janë të gatshëm të mblidhen në një takim të jashtëzakonshëm për të shqyrtuar strategjinë dhe kundërmasat e mundshme.