SHBA vendos sanksione të reja ndaj Iranit për shitjet e naftës
Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara njoftoi vendosjen e një pakete të re sanksionesh ndaj Iranit, duke synuar të kufizojë të ardhurat që Teherani siguron nga eksportet e naftës.
Sipas autoriteteve amerikane, të ardhurat nga shitja e naftës përdoren nga Irani për të financuar rindërtimin e kapaciteteve ushtarake dhe për të mbështetur aktivitete që, sipas Uashingtonit, përbëjnë kërcënim për SHBA-në dhe aleatët e saj në Lindjen e Mesme.
Sekretari i Thesarit amerikan, Scott Bessent, deklaroi se administrata amerikane do të vazhdojë të ushtrojë presion ekonomik ndaj regjimit iranian.
“Do të vazhdojmë të rrisim presionin për t’i privuar regjimin iranian dhe forcave të tij ushtarake burimet financiare të nevojshme për të kërcënuar aleatët dhe partnerët amerikanë në Lindjen e Mesme”, tha Bessent.
Ai theksoi se SHBA nuk do të lejojë që Teherani të përdorë të ardhurat nga nafta për të forcuar potencialin e tij ushtarak.
“Ne nuk do të lejojmë që Irani të rrisë të ardhurat nga nafta për të rindërtuar forcat e veta të armatosura dhe kapacitetet ushtarake”, shtoi kreu i Thesarit.
Sanksionet e reja vijnë në një kohë tensionesh të vazhdueshme mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa administrata amerikane vijon përpjekjet për të kufizuar burimet financiare të Iranit dhe ndikimin e tij në rajon.







